Leje armësh pa teste – 8 të akuzuar për falsifikim dhe ryshfet, mes tyre dy zyrtarë të MPB-së

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave lidhur me lëshimin e kundërligjshëm të lejeve për armë.

Në mesin e tyre të akuzuar janë dy zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Besim Haziri dhe Sanije Behrami, të cilët ngarkohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Haziri dyshohet se në cilësinë e kryesuesit të komisionit për mbajtjen e provimit profesional të aftësimit dhe përdorimit të armëve të zjarrit dhe Behrami në cilësinë e anëtares së komisionit, në bashkëkryerje i kanë lëshuar një personi 3 certifikatat për armë pa qenë prezent në testet praktikë dhe teorik.

Ndërsa, Faton Gërbeshi në cilësinë e menaxherit të poligonit “Reload” akuzohet se ka kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

I njëjtit ngarkohet se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 600 euro, me qëllim që të veprojë në shkelje të detyrës, duke i mundësuar kalimin e kundërligjshëm të testimeve për armë kandidatit – dëshmitarit A.B.

Personi i katërt i akuzuar është Mehmet Gërbeshi- shitës në poligonin “Reload”, i cili ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Ai akuzohet se në cilësinë e shitësit e ka ndihmuar menaxherin Faton Gërbeshi duke i mundësuar një qytetari që të kontaktojë me të përmes telefonit të tij për t’i marrë lejet pa u testuar.

Ndërsa, katër personat e tjerë të akuzuar janë punëtorë të poligonit “Dreni ING” në Prizren.

Safet Balaj, Resul Milaimi dhe Halil Nezaj akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe Brikenda Gegaj, për kryerjen e veprës penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit”.

Nezaj kishte kërkuar ryshfet edhe nga ekipi i infiltruar nga “Betimi për Drejtësi” për tu pajisur me leje pa pjesëmarrje në testime.

Balaj në cilësinë e instruktorit/ ligjëruarit në poligonin “Dreni INT” ngarkohet se në dokumentin zyrtar ka shënuar të dhëna për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, ndonëse kandidati nuk ka qenë prezent.

“..ka nënshkruar Certifikatën me numër 768c/2025, me të cilën ka certifikuar kandidatin A.B për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, ndonëse i njëjti nuk ka qenë fare prezent dhe nuk i është nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik dhe me këto veprime ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit Nr.05/L-022 për Arme dhe nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 10/2016 për aftësimin teorik dhe praktik për armë, provimin profesional, si dhe verifikimin e kualifikimit te instruktoreve”, thuhet më tej në aktakuzë.

Njësoj, në cilësinë e instruktorit/ ligjëruesit në poligonin “Dreni ING”, ngarkohen edhe Milaimi dhe Nezaj.

“..me date 10.12.2025, në dokumentin zyrtar ka shënuar të dhëna të rreme me nënshkrimin e tij, ka vërtetuar dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme përkatësisht ka nënshkruar Certifikatën me numër 768c/2025, me te cilën ka certifikuar kandidatin A.B për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, ndonëse i njëjti nuk ka qenë fare prezent dhe nuk i është nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik”, thuhet në dispozitivin ku akuzohet Milaimi.

“..me datë 10.12.2025, në dokumentin zyrtar ka shënuar të dhëna të rreme me nënshkrimin e tij ka vërtetuar dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme përkatësisht ka nënshkruar Certifikatën me numër 768c/2025, me te cilën ka certifikuar kandidatin A.B për aftësimin ne përdorimin e armëve te zjarrit, ndonëse i njëjti nuk ka qene fare prezent dhe nuk i është nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës ndaj Nezajt.

Për Nezajn, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se i njëjti nuk ka leje nga Policia e Kosovës për punë dytësore.

Ndërsa, e akuzuara e fundit është Brikenda Gegaj, e cila ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit”. Ajo akuzohet se në cilësinë e administratores në poligonin “Dreni ING”, pa autorizim ka plotësuar kërkesën për provimin profesional.

“..pa autorizim ka plotësuar kërkesën për provim profesional dhe formularin me numër 768 e zbrazët duke venë nënshkrimin e personit tjetër duke plotësuar formularin me qëllim që të krijoj mardhenje juridike përkatësisht, ka plotësuar “Kërkesën për provim profesional për arme” me të dhënat personale të kandidatit A.B dhe me pas në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar në emër të tij në dokumentin përkatës pa qenë fare prezent kandidati”, thuhet në aktakuzë.

Në hulumtimin e transmetuar më 21 shkurt, janë shfaqur dhe provat të cilat dëshmojnë pajisjen me certifikata shëndetësore për tu pajisur me leje për armë edhe nga Spitalit Rajonal i Prizrenit.

Pas kësaj, Inspektorati Shëndetësor ka zhvilluar inspektim dhe hapur procedurë duke u shprehur se “e ka përcjell me shqetësim situatën që ju e keni paraqitur”.

Më poshtë mund ta ndiqni emisionin e plotë “Betimi për Drejtësi” me titull “Procesi i kontaminuar i lejeve për armë – Dyshime për korrupsion e neglizhencë”, i cili u transmetua më 21 shkurt 2026.