Aktakuzë ndaj tetë personave për dallavere me certifikatat për përdorimin e armëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të dyshuar për dallavere me pajisjen për certifikata për përdorim të armëve.

Dy nga të pandehurit, F.G dhe M.G akuzohen për pranim të ryshfetit, ndërsa pjesa më e madhe e të pandehurve akuzohen për falsifikim të dokumentetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në njoftimin e tyre, Prokuroria ka njoftuar se të pandehurit kanë qenë nën vëzhgim përmes masave të veçanta hetimore.

I pandehuri F.G ka pranuar 600 euro me qëllim që një kandidati t’i siguronte certifikatë për aftësim në përdorimin e armëve të zjarrit, pa iu nënshtruar trajnimit dhe provimit teorik dhe praktik, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Prokuroria shkurtimisht ka bërë përshkrimin e arsyetimit të aktakuzës në raport me të pandehurit tjerë.

“I pandehuri M.G., me dashje dhe dijeni të plotë në vazhdimësi ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, duke i mundësuar të pandehurit F.G., përfitimin e kundërligjshëm, përkatësisht pajisjen e kandidatëve me çertifikata për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit pa ndjekur procedurat ligjore të trajnimit dhe testimit profesional, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Të pandehurit S.B., R.M., H.N., në cilësinë e instruktoreve/ ligjëruesve në poligonin “D….”, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë shënuar të dhëna të rreme në dokumente zyrtare, duke nënshkruar çertifikata për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, për persona që nuk i janë nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik dhe me këto veprime, ata kanë vepruar në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit Nr.05/L-022 për armë dhe nenit 7 të udhëzimit administrativ (MPB) për aftësimin teorik dhe praktik për armë”, ka thënë Prokuroria.