Guardiola: Futbolli duhet të argëtojë, kënaqem kur e shoh Barcelonën e Flick

Pep Guardiola ka lavdëruar Barcelonën e Hansi Flick, duke theksuar se skuadra katalanase arrin ta kthejë çdo ndeshje në spektakël për t’u shijuar. Në një intervistë për “Catalunya Radio”, trajneri i Manchester City kujtoi Johan Cruyff në përvjetorin e dhjetë të ndarjes së tij nga jeta dhe foli për ekipin blaugrana: “Sa herë që mundem ta shoh Barcelonën, e bëj me interes, sepse mendoj se është vërtet argëtuese”.

Për Guardiolën, futbolli duhet mbi të gjitha të japë kënaqësi për ata që e ndjekin, njësoj si format e tjera të argëtimit. “Është si të shkosh në kinema, në teatër apo të dalësh për darkë. Në të gjitha rastet, qëllimi është të argëtohesh”, – shtoi ai. Sipas tij, skuadra e Flick e mishëron këtë ide: “Është një Barça që të jep kënaqësi dhe kur ulesh para televizorit, e di që do të kalosh momente të bukura duke e parë”.

Fjalët e tij vijnë në një moment shumë të mirë për katalanasit, aktualisht të parët në La Liga, me 4 pikë avantazh ndaj Real Madridit. Guardiola e ka vendosur Barçën mes tri skuadrave më të mira në Europë aktualisht, bashkë me Arsenalin dhe Bayern Munich.

 

The post Guardiola: Futbolli duhet të argëtojë, kënaqem kur e shoh Barcelonën e Flick appeared first on Telesport.