Përpiluan raporte fiktive për përfundimin e projektit, ngritet aktakuzë për mashtrim në prokurim publik dhe keqpërdorim të detyrës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj përfaqësuesit të kompanive ndërtimore Multi Business Group dhe Art Project, Jeton Bytyqi, për mashtrim në prokurim publik.

Përpos Bytyqit, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi zyrtar në Komunën e Prizrenit për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.J., në cilësinë e personit zyrtar i ka tejkaluar kompetencat dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik ka përpiluar raporte dhe situacione fiktive, në të cilat është paraqitur se punimet janë kryer sipas kontratës, ndonëse në terren gjendja ka qenë ndryshe.

Si rezultat i këtyre veprimeve, Komisioni për Pranimin Teknik është vënë në lajthim dhe ka përpiluar raport pranimi, duke konfirmuar në mënyrë të gabuar se punimet janë realizuar sipas specifikimeve të kontratës, pavarësisht se në terren punimet nuk ishin përfunduar në përputhje me kushtet e kontraktuara.

Andaj, si rezultat i këtyre veprimeve, janë realizuar pagesa në favor të grupit të operatorëve ekonomik Multi Business Group dhe Art Project, edhe pse punimet nuk ishin përfunduar sipas kontratës së lidhur.

“Përmes këtyre veprimeve, Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 18,765.00 euro, ndërsa përfitim pasuror i kundërligjshëm për operatorët ekonomik në të njëjtën shumë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Bytyqi si përfaqësues i autorizuar i operatorëve ekonomik  në bashkëpunim me të pandehurin B.J., ka vepruar me qëllim përfitimi pasuror duke shkelur dispozitat dhe procedurat e prokurimit publik dhe i njëjti nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata.

Projekti kishte të bënte me ndërtimin e infrastrukturës në fshatin Vlashnje.