Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia e Trafikut të Kryeqytetit ka nisur zbatimin e një plani të veçantë operativ të fokusuar te motoçikletat, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas njoftimit, plani ka hyrë në fuqi nga dita e djeshme dhe tashmë janë ndërmarrë masa konkrete ndaj drejtuesve të motoçikletave që kanë kryer kundërvajtje të ndryshme në trafik.
“Gjatë dy ditëve të para të zbatimit të këtij plani, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë një sërë masash ndaj drejtuesve të motoçikletave për kundërvajtje të ndryshme në trafik”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se shkeljet përfshijnë mosrespektimin e rregullave të komunikacionit, mungesën e dokumentacionit përkatës, si dhe moszbatimin e masave të sigurisë gjatë ngasjes.
Tutje, autoritetet kanë paralajmëruar se ky plan operativ do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me kontrolle të shtuara në rrugët e kryeqytetit.
“Njësia e Trafikut e Kryeqytetit bën të ditur se ky plan operativ do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, theksohet më tej.
Policia ka apeluar te të gjithë drejtuesit e motoçikletave që të respektojnë rregullat e trafikut, të përdorin pajisjet mbrojtëse dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë së përgjithshme në rrugë.










