Presidentja në largim Vjosa Osmani nuk i ka dhënë çehre ish bashkëpunëtores më të ngushtë politike të saj, tashmë rivales së hidhur Donika Gërvallës.
Osmani dhe ministrja e Drejtësisë janë përshëndetur ftohësisht me njëra-tjetrën në takimin e tyre të parë pas shpërndarjes nga presidenta të Kuvendit të Kosovës, një akt që rrënoi mbase përfundimisht raportet mes tyre.
Takimi mes ish kryetares së listës Guxo dhe kryetares aktuale të partisë me të njëjtin emër, ndodhi në një akademi përkujtimore në Mitrovicën e Jugut. I pranishëm ishte edhe bashkëkryetari i Guxos, Faton Peci.
Pasi përshëndeten ftohësisht, Gërvalla përpiqet të thyejë akullin në një tentativë për të ndërruar disa fjalë me presidenten por ajo refuzon të ndryshojë qëndrim.
Pas përfundimit të akademisë përkujtimore në 27-vjetorin e rënies së veprimtarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, Osmani është pyetur nga gazetarët për raportet e saj me Gërvallën, por ka refuzuar të komentojë këtë marrëdhënie.










