Haradinaj nga Gllogjani: Epilogu i luftës rezultoi me fitoren e shqiptarëve

Në 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka ndarë mirënjohje për kontributin e veçantë dhe meritat e jashtëzakonshme në avancimin e çështjes kombëtare, duke e dekoruar gjeneralin Kudusi Lama me medaljen “Me besim në Zot, atdhe e shtet”,

Me këtë rast, Haradinaj tha se rrugëtimi drejt përballjes së armatosur me Serbinë kishte qenë i gjatë dhe i vështirë, duke përmendur sakrificat dhe ngjarjet që i paraprinë luftës së hapur.

“Kishte kaluar një kohë e gjatë në përpjekjet tona me mbërri te një organizim që një ditë të përballemi ballë për ballë me Serbinë. Këto përpjekje nuk shkuan me sukses. Ishte janari i dhimbshëm i Zahir Pajazitit, Hakifit, Edmondit, ngjarje të tjera; maji i ’97-ës i Luanit, vrasja e Ardian Krasniqit.

Nuk kishte shkuar aq mirë lufta jonë. Në këtë rrugëtim tonin deri në përballjen e parë, Serbia e mori iniciativën, ne nuk arritëm përmes planeve tona. Pas disa përpjekjeve në Prekaz, pas Reçakut, ndodhi përballja në Prekaz, përballje e cila është vërtet unike dhe nuk ka tjetër, nuk krahasohet asgjë me këtë përballje. Qëndresa heroike e Adem Jasharit e familjes, e të gjithëve, dhe në flijimin e secilit është unike dhe e rrallë, dhe vërtet u kthye në një kushtrim për shqiptarët kudo që janë.

Ishte rëndë për Gllogjanin se si do të shkonte përballja e radhës; Serbia e dinte kush jemi. Po të shkonte kjo përballje në dëm të UÇK-së, nuk ishte vetëm çka ndodhi me ne, por çka ndodhi me shqiptarët, si do shkojë më tutje kjo luftë. Epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve. Edhe pse tre nga ne u vranë, mirëpo rezultoi se shqiptarët e fituan këtë luftë”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se historia e luftës duhet të shërbejë jo vetëm si krenari, por edhe si mësim për brezat e rinj.“Heronjtë dhe dëshmorët tanë, ata kanë treguar si është matur pastër dashuria për vendin, për secilin njeri e fëmijë që sot jeton.

Historia jonë, që flasim për çdo përvjetor, nuk duhet të jetë vetëm krenari dhe lavdi, por edhe mësim, por jo i përsëritur. Historia nuk na mëson si mësohet matematika; historia duhet ta mësojë esencën e ekzistencës sonë si komb sot këtu, fëmijët tanë e ata që do të vijnë. Duhet të mësojmë edhe një gjë: se heronj nuk janë vetëm ata që kanë ra – ata po se po – por popujt kanë heronj që janë gjallë. Heroizmi nuk nënkupton vetëm nëse janë vra.

Mos harroni që heronjtë tanë të gjallë nuk janë vetëm njerëzit tanë; kanë qenë edhe ata që kanë fluturuar në qiell se i kanë bombarduar armiqtë tanë, që kanë mbajtur flamurin amerikan, por edhe britanik, gjerman e francez. Heronj janë njerëzit që nuk janë fshehur, nuk kanë ikur, ata kanë vendosur vetë me i kry punët e kombit.

Ne jemi befasuar që më 24 mars kanë nisur bombardimet e NATO-s kundër Serbisë; më 24 mars këtu u bë luftë, punë që kjo mund të ketë qenë koinçidencë”, tha Gjini.Gjenerali Lama e cilësoi përballjen e 24 marsit në Gllogjan si një nga momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare.“Një nga qasjet më të rëndësishme të luftës sonë çlirimtare, të historisë së armatosur të rezistencës shqiptare në Kosovë, përballjen e lavdishme në Gllogjan më 24 mars – një përballje që nuk ishte e thjeshtë, një betejë ushtarake, një provë e madhe e karakterit, guximit, vendosmërisë së popullit shqiptar për liri.

Një ngjarje që shënoi një kthesë të rëndësishme në rrjedhjen e luftës çlirimtare.Kujtojmë sot një betejë që në histori zë vend të veçantë, një moment kur përballë një makinerie të fuqishme ushtarake qëndroi një grup luftëtarësh të vendosur, të cilët nuk kishin as epërsinë numerike, as në armatim, por diçka më të madhe: besimin në drejtësinë e kauzës së tyre dhe vendosmërinë për të mos u nënshtruar.

Kjo është një ditë reflektimi për historinë tonë”, tha Lama.Në këtë përvjetor, shoqatat e dala nga lufta ndanë mirënjohje për Haradinajn për kontributin e dhënë në luftën e UÇK-së.