De Biasi rrëfehet në 360 gradë: Ua fsheha shqiptarëve, por më 2016 isha pothuajse trajner i Italisë

Gianni De Biasi është një trajner që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit italian. Me përvojë, karizmatik dhe i vendosur, ai ka arritje të jashtëzakonshme sportive, si ajo me kombëtaren shqiptare. De Biasi ka ditur t’i transformojë ëndrrat kolektive në realitet, duke e çuar Shqipërinë aty ku nuk kishte qenë kurrë. Sot, ndërsa Italia mban frymën përpara “play off”-it të Botërorit 2026, fjalët e tij mbi menaxhimin e presionit dhe ndërtimin e identitetit kanë peshë të veçantë.

Ai rrëfehet për “Fanpage.it” mes taktikave, jetës dhe një shije të shëndetshme të çmendurisë që ndihmon të tejkalosh kufijtë: “Nëse do të doja një rrugë të lehtë në futboll, do të futesha thjesht në një skuadër, pikë… Për të mbetur i pastër dhe i ndershëm, shmanga helikopterin dhe ngjita malin me kazmë në dorë”.

Ai ndan përshtypjen për emërimin e Gennaro Gattuso si trajner i Italisë dhe kujtimin e vitit 2016, kur ishte një hap larg stolit të kombëtares axurre: “U ndjeva keq sepse kisha pasur një bisedë të gjatë dhe mendova se kandidatura ime ishte vendosur tashmë”.

Mister, në një “play off” Botërori sa vlen taktika dhe sa, në vend të kësaj, aftësia për të mos u shtypur nga pesha e fanellës?
Le të themi se të dyja kanë një rëndësi të caktuar. Natyrisht nisesh para së gjithash nga njerëzit që përbëjnë skuadrën. Ata bëjnë diferencën, si në planin e personalitetit, të cilësisë teknike dhe kontributit që i japin ekipit. Besoj se një qasje e mirë ndaj këtij dueli vendimtar ndihmon për ta përballuar ndeshjen në mënyrën më të mirë. Duke filluar të mendosh dhe imagjinosh një të ardhme ‘blu’ dhe të ndritshme, do të jetë më e lehtë të arrihen objektivat.

Gianni De Biasi sulla panchina dell’Azerbaigian.

Nëse do të ishit në dhomat e zhveshjes sot, cila do të ishte fjala e parë që do të shkruanit në tabelë për të qetësuar mendjen e djemve?
Para se të arrijmë tek ai diskutim, ka shumë të tjera për t’u bërë. Ka kontrata morale që duhen vënë në zbatim me lojtarët që përbëjnë skuadrën, ata që unë mendoj se janë më të përshtatshëm për të arritur objektivin. Besoj se ky është aspekti i rëndësishëm, sepse nuk shërben për asgjë të vendosësh në fund një mesazh në tabelë. Duhet të futen çdo ditë konceptet e lojës në skuadër; pra objektiva, komunikim, bashkëpunim, menaxhim konfliktesh dhe përgjegjësi e përbashkët. Pjesa tjetër janë vetëm fjalë, me të cilat kjo botë është plot.

A të duket e drejtë që një trajner si Gattuso është hedhur në këtë situatë, ndoshta për disa paksa herët?
Gennaro është një djalë i sinqertë, që ka pasur eksperienca të ndryshme në këto vite. Sot ndodhet përballë sfidës, ai dhe stafi i tij, është një sfidë pa kthim. Stafi, përveç Riccio-s, besoj se është hera e parë që punon bashkë dhe shpresojmë që gjithçka të funksionojë në mënyrën më të mirë. Në fund të fundit, edhe në vështirësi duhet të japësh më të mirën.

Çfarë mendoni për të?
Gattuso ka mbi të gjitha një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla. Është trajner që ka bërë një rrugë të mirë, edhe pse ndoshta në disa raste nuk ka qenë me fat, por e ka përjetuar me krenari, duke nxjerrë në pah gjithë krenarinë dhe kokëfortësinë e tij kalabreze.

E prisnit ta shihnit si trajner të Italisë?
Gattuso mund të qëndronte, sinqerisht. Mund të qëndronte, sepse është dikush që e ka jetuar atë ambient, njeh të gjitha dinamikat që rrotullohen rreth kombëtares, është një mundësi që nuk vjen shpesh, kështu që ai e ka kapur në fluturim.

Edhe ju keni qenë shumë pranë pankinës së Italisë…
Po, isha i bindur se do të isha unë trajneri i kombëtares më 2016. Pastaj papritur më kaloi përpara Giampiero Ventura, me të cilin kam ndarë edhe disa momente të këndshme në tavolinë.

De Biasi scrisse la storia con l’Albania.

Çfarë ndodhi?
Kam pasur disa kontakte telefonike dhe personale me Federatën Italiane, që donte të gjente një zëvendësues për Antonio Conte, i cili kishte njoftuar se pas Europianit në Francë do të shkonte te Chelsea. Ndryshe nga kjo, unë nuk doja zhurmë rreth kësaj situate, sepse nëse do të shkoja në Europian si ‘në largim’, do të humbisja shumë para lojtarëve të mi te Shqipëria. Pikërisht për këtë arsye kujdesesha çdo herë që gjithçka të mbetej në privatësinë më absolute. Pastaj papritur zgjodhën Ventura, që ishte liruar nga Torino. Megjithatë ky episod më la shumë keq dhe i ndërpreva kontaktet.

Pas eksperiencave në Itali, Spanjë, Azerbajxhan dhe Shqipëri, si e shihni Italinë nga jashtë? A jemi ende universiteti i futbollit apo kemi humbur diçka?
Jo, nuk besoj se jemi më universiteti i futbollit. Besoj se duhet të përshtatemi pak me ato që janë lëvizjet e tjera futbollistike, në radhë të parë ajo spanjolle. Sigurisht, edhe nga pikëpamja e trajnerëve po dërgon shumë nëpër botë, duke rritur gjithë lëvizjen futbollistike.

Cili është mësimi më i madh që ju ka dhënë futbolli ndërkombëtar?
Janë gjërat e vogla që bëjnë diferencën. Duhet të ndjekësh vazhdimisht 35-40 lojtarët që ke nën vëzhgim, duke mbajtur kontakte sikur të ishe trajneri i klubit të tyre. Janë detaje që bëjnë diferencën dhe pastaj janë kontratat morale që vendos me lojtarët sa herë i sheh dhe iu shpjegon çfarë pret prej tyre.

Çfarë bën De Biasi kur shkëputet nga futbolli?
Zakonisht udhëtoj dhe shoh futboll nëpër Europë. Lexoj dhe ndjek botën që lëviz, pastaj përdor biçikletën për t’u çlodhur dhe për të mbajtur formën. Kur mundem shkoj në shtëpinë time në Sardenjë për t’u relaksuar dhe për të ëndërruar.

The post De Biasi rrëfehet në 360 gradë: Ua fsheha shqiptarëve, por më 2016 isha pothuajse trajner i Italisë appeared first on Telesport.