Kryesuesi i ri i KPK-së: Është e vërtetë që motra ime ishte në listën VV-Guxo më 2021

Kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi ka konfirmuar raportimin e Paparacit se vëllai i tij, Urim Gashi është kryesues i Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe se motra e tij, Panvera Berisha kishte garuar për asamble komunale në listën e Vetëvendosjes.

Në një intervistë në emisionin Tempus, prokurori që më 13 mars u zgjodh drejtues i organit më të lartë të sistemit prokurorial, mohoi të ketë ndikuar në zgjedhjen e vëllait të tij në bordin e ndërmarrjes publike.

“Jo vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje, por as me partitë që kanë qenë më parë në pushtet, asnjëherë kurrë nuk kam pasur asnjë lidhje”, tha ai, por e pranoi se vëllai i tij është udhëheqës i bordit të KRU “Gjakovës”.

“Të gjitha ato janë shpifje, kjo për faktin se vëllai im kur është zgjedhur kryesues në KRU ‘Gjakova’, edhe ai i është nënshtruar një lloj procesi të rregullt”, u justifikua Gashi.

Disa raporte të organizatave të shoqërisë civile kanë konstatuar se bordet e ndërmarrjeve publike vazhdojnë të jenë të politizuara, edhe pas fitores së pushtetit të plotë nga Lëvizja Vetëvendosje më 2021.

I pyetur për garimin e motrës së tij në listën e përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Guxos në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ish-prokurori i Prokurorisë së Apelit tha se “jetojmë në një vend të pavarur” ku bindjet politike janë e drejtë zgjedhjeje personale për secilin individ.

“Motra ime.. është e vërtetë që ajo ka qenë në listën Guxo në zgjedhjet lokale të vitit 2021”, e pranoi kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial.

Ai i quajti “shpifje” raportimin e Paparacit për afërsinë familjare të tij me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje. Tha se i është drejtuar Gjykatës me padi kundër medias. /Paparaci.com