Ulja e TVSH-së dhe akcizës mund ta zbresë çmimin e naftës në 1.35 €

Nëse vendoset për lirimin e TVSH-së për derivate dhe heqjen apo përgjysmimin e akcizës, çmimi i naftës dhe benzinës në Kosovë do të pësonte një rënie të ndjeshme, duke sjellë lehtësim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset.

Anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi ka paraqitur një përllogaritje mbi ndikimin e këtyre masave fiskale në çmimin final të karburanteve, raporton Paparaci.

Sipas tij, aktualisht një litër naftë apo benzinë kushton rreth 1.70 euro, ndërsa me ndërhyrje në taksa ky çmim do të mund të zbriste në rreth 1.35 euro për litër.

Rukiqi ka sqaruar se ulja e TVSH-së nga 18% në 8% do të sillte një kursim prej rreth 17 cent për litër.

Ndërkohë, përgjysmimi i akcizës do të ndikonte me një ulje shtesë prej rreth 17.5 cent për litër.

Në total, qytetarët do të përfitonin një zbritje prej afërsisht 35 cent për çdo litër karburanti që blejnë.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se po shqyrtohen kërkesat për tërheqjen e akcizës apo lirimin e TVSH-së po shqyrtohen, por tha se çdo ndryshim duhet të bëhet nga Kuvendi, që aktualisht mbetet i pezulluar.

“Jemi me vëmendje duke përcjellë situatën që të mos ketë abuzim me çmim, e dyta jemi duke përgatitur planifikime strategjike për ta rritur rezistencën ndaj rrethanave të krijuara në tregun botëror. Kërkesat që kanë të bëjnë me tërheqjen e akcizës apo TVSH-në jemi duke i shqyrtuar me kujdes, por jo që mund themi sot se mund të ndryshohet akciza.

Si e parë e punës akciza është e përcaktuar me ligj dhe rrjedhimisht çfarëdo ndryshimi duhet bërë nga Kuvendi dhe e dyta, TVSH-ja dhe akciza janë të hyra të buxhetit që në situatën aktuale mbesin ashtu siç janë, por jemi duke shikuar se cilat janë mundësitë për të ndikuar nëse ka rritje të mëtutjeshme natyrisht në zinxhirin e furnizimit, pra që të mos ketë multiplifikim apo zinxhir të rritjes edhe te produktet tjera”, tha Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se lirimi i TVSH-së asnjëherë s’ka qenë opsion e as heqja e akcizës.

“TVSH-ja nuk ka qenë asnjëherë opsion, pasi është vështirë të monitorohet, pasi TVSH është ajo që paguhet nga qytetarët, prandaj lehtësisht thuhet, por është vështirë të bëhet, pasi mund të përfundojmë në situata kur hiqet TVSH, por çmimi mbetet i njëjtë, pasi operatorët ekonomikë nuk e heqin dhe ne nuk kemi mekanizëm për ta mbajtur çmimin tavan edhe për produkte të tjera. Sa i përket akcizës, mbetet të përcjellët, nuk e konsiderojmë si opsion, por e përcjellim situatën që çmimi nuk kalon çmimin e marzhës së caktuar”, ka thënë Kusari-Lila.