Qeveria e Kroacisë ndërmorri të hënën disa sërë masash për tregun e derivateve.
Në mesin e masave ishte heqja e akcizës për karburantet dhe kufizimi i fitimit të pompave të derivateve.
Megjithatë, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq njoftoi të hënën në mbledhjen e qeverisë se pavarësisht masave të ndërmarra, për shkak të rritjes në tregjet globale, çmimi i naftës do të rritej diku nga rreth 1.55 në 1.73 euro të martën.
Plenkoviq deklaroi se pa ndërhyrjen e Qeverisë Kroate, çmimet në pikat e karburantit do të ishin edhe më të larta. Për shembull, Eurodizeli do të kushtonte 1.86 euro për litër nga e marta.
Megjithatë, me vendosjen e marzhës së fitimit dhe heqjes së akcizës, çmimi i eurodizelit sot ka shkuar në 1.73 euro për litër, shkruajnë mediat kroate, transmeton Paparaci.
Pra, pavarësisht se qeveria parandaloi rritjen, tregjet globale e kanë kryer të veten. Çmimet e karburantit janë rritur të martën, krahasuar me të hënën.
Një tjetër sfidë për tregun e brendshëm në Kroaci është edhe mbetja pa karburant e disa pikave. Këto arsye shkaktuan turma njerëzish në pompat e derivateve në të gjithë Kroacinë të hënën pasdite.
Siç shkruajnë mediat kroate, në rajonin e Dalmacisë u krijua një situatë surreale, aq sa një qytetar në Kashtel Lukshiq, pranë Splitit, e mbushi me derivate një rezervuar të madh uji.
Edhe në Zagreb, në disa pika të karburanteve, të hënën pasdite kishte njoftime ku thuhej se nuk kishte eurodizel.
Ministri i Ekonomisë, Ante Shushnjar tha pas seancës së qeverisë të hënën se nuk posedonte informacione për mungesën e karburantit.
“Sa i përket sigurisë së furnizimit, ajo nuk vihet në dyshim në asnjë kohë. Në çdo pjesë të ditës, në çdo pjesë të Kroacisë, furnizimi rrjedh pa probleme. Ne kemi një rafineri dhe për shkak të gjithë kësaj, kemi siguri të furnizimit”, tha Shushnjar të hënën.
Qeveria e Kroacisë, të hënën miratoi edhe një paketë masash të subvencionimit të qytetarëve në energji dhe gaz.












