Pesë të vrarë brenda një jave, Shala: Sistemi ka devalvuar

Pesë persona janë vrarë brenda një jave në Kosovë, në një varg ngjarjesh të rënda që kanë tronditur sigurinë publike në vend.

Java e kaluar nisi me një vrasje në qendër të Gjakovës dhe përfundoi me një krim të trefishtë në një fshat të Podujevës, ku humbën jetën tre persona, përfshirë edhe autoren e dyshuar, e cila sipas dyshimeve pas kryerjes së veprës e qëlloi edhe veten.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar se situata është pasojë e një devalvimi shoqëror dhe dështimit të mekanizmave institucionalë.

“Tanimë mund të konstatojmë një fakt që kemi devalvim shoqëror. Pra, veprimet psikologjike, ekonomike, janë duke ndikuar jashtëzakonisht shumë në veprimet e çrregullta, dhe këto veprime të çrregullta po janë duke u manifestuar me veprime të cilat bien ndesh me rendin normativ të Republikës së Kosovës, njëkohsisht kryejnë edhe vepra penale. Kjo si pasojë që sistemi është duke dështuar, dhe sistemi ka devalvuar sa i përket prej veprimeve të para deri te përfundimi i aktit, përfundimtar, aktgjykimit pra nga ana e gjykatave të Republikës së Kosovës. Pra rastet e tilla do të duhej që të kemi për bazë veprimet preventive, veprimet preventive kryesisht fokusohen në minimizimin e aktiviteteve kriminale, duke shtuar prezencën policore, por njëkohësisht duke bashkëvepruar edhe mekanizmat e tjerë njëra me tjetrën, për ta krijuar një pasqyrë reale faktike, sepse “early warning” është një nga problematikat me të cilat do të duhej që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmerrnin”, tha ai.

Shala theksoi se mungesa e analizës së qartë të mënyrës së veprimit të autorëve të krimeve po ndikon në përsëritjen e rasteve të ngjashme.

“Pra “modus operandi” i veprimeve të mëhershme praktikohet dhe aplikohet në veprimet e ardhshme. Pra, në qoftë se sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial dhe Policia e Kosovës nuk e kanë një pasqyrë të qartë se cilat veprime të modus operandëve përdoren shpesh për t’i kryer veprat penale, pra dhe ndaj të cilëve nuk merren masa konkrete adekuate, ajo më pastaj shërben si veprim dhe si adut që veprimet e tjera kriminale të ndërmerren pikërisht në të njëjtën rrugë çka ka ndodhur më herët dhe mund t’i ikin edhe përgjegjësisë penale për veprimet e tyre sepse nuk kanë sanksionime për një gjë të tillë”, tha ai.

Sipas tij, institucionet duhet të fokusohen menjëherë në masa parandaluese dhe në një analizë të thellë të funksionimit të mekanizmave të sigurisë.

“Prandaj, ky do të duhej të jetë fokusi i menjëhershëm, dhe më pastaj, mbas këtij fokusi dhe një pasqyrim apo një rentgen vertikal dhe horizontal të të gjitha mekanizmave përkatës, atëherë ne mund të ndalemi me një konkluzion përfundimtar që Kosova do të duhej t’i rikthehet aspektit të zhvillimit ekonomiko-social, por njëkohësisht edhe siguria publike do të duhej tanimë të vihet më në theks për të minimizuar dhe për të garantuar sigurinë publike për çdo qytetar të Republikës së Kosovës”, tha ai.