Qeveria thotë se nuk mund të heqë akcizën dhe TVSH-në për derivatet e naftës pa Kuvendin, duke u thirrur në ligj. Por pak ditë më parë, ajo vetë vendosi të shtyjë zbatimin e disa ligjeve dhe të njohë përkohësisht dokumente të Serbisë, pa kaluar fare në Kuvend.
Opozita po kërkon marrjen e “masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend dhe uljen e çmimit të naftës”.
Si rrjedhojë, kërkohet nga Qeveria lirimi i TVSH-së për derivatet dhe heqja e akcizës për naftën.
Mirëpo, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila ka theksuar qartë se akciza dhe TVSH-ja janë të përcaktuara me ligj dhe si të tilla nuk mund të ndryshohen me vendim të Qeverisë.
Sipas saj, çdo ndërhyrje kërkon procedurë parlamentare, duke e vendosur përgjegjësinë te Kuvendi.
Në aspektin formal dhe juridik, ky qëndrim është i saktë.
Normat e akcizës dhe TVSH-së, janë të rregulluara me ligje të miratuara nga Kuvendi dhe çdo ndryshim kërkon shumicë parlamentare.
Por, në anën tjetër, një vendim i fundit i Qeverisë ka krijuar perceptimin e një standardi të dyfishtë në raport me ligjin, raporton Paparaci.
Më 14 mars 2026, pas takimeve në kuadër të dialogut me Bashkimin Evropian, Qeveria vendosi që për një periudhë 12-mujore të lejojë përdorimin e dokumenteve të lëshuara nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë që nuk posedojnë dokumente kosovare.
Po ashtu, u vendos që këtyre kategorive t’u ofrohet leje e përkohshme qëndrimi.
Ky vendim, në thelb, prek drejtpërdrejt zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete, duke krijuar një regjim të përkohshëm që devijon nga dispozitat ekzistuese ligjore.
Praktikisht, Qeveria ka vendosur të mos e zbatojë plotësisht ligjin për një periudhë të caktuar, pa e kaluar këtë ndryshim në Kuvend.
Kjo është pikërisht pika ku lind kontradikta.
Nëse për çështjen e derivateve të naftës argumentohet se “ligji nuk lejon” ndërhyrje pa Kuvendin, atëherë a nuk vlen i njëjti standard edhe për ligje të tjera që janë po ashtu në fuqi?
Në të dy rastet, bëhet fjalë për ligje të miratuara nga Kuvendi. Si të tilla, çdo ndryshim, pezullim apo shtyrje e zbatimit të tyre do të duhej të ndiqte të njëjtën rrugë procedurale, pra miratimin në Kuvend.
Në rastin e akcizës dhe TVSH-së, Qeveria e përdor ligjin si kufizim të kompetencave të saj, duke theksuar ndarjen e pushteteve dhe domosdoshmërinë e procedurave.
Ndërsa në rastin e dokumenteve dhe lejeve për komunitetin serb, ajo vepron përmes vendimeve ekzekutive, duke justifikuar ndërhyrjen me rrethana politike dhe ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, deklaratat e Kusari-Lilës, ndonëse të drejta, kanë nxjerrë në pah një problem më të madh, mungesën e një standardi të qëndrueshëm në raport me ligjin.
Lëshimi pe i Kurtit në Ligjin për të Huajt
Kosova dhe BE-ja janë pajtuar që Ligji për të huajt, i cili filloi të implementohet nga 15 marsi 2026, do të zbatohet me disa masa përmbajtjesore shtesë.
Këto masa kanë të bëjnë me regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm.
Kjo ujdi është arritur më 14 mars në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Pas takimit, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka dhënë detaje për këtë ujdi.
“Jemi përqendruar për zbatimin e ligjit për të huajt, që do të fillojë nga nesër. Kemi pasë bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot është arritur pajtimi zbatimit të Ligjit mbi të Huajt me disa masa përmbajtjesore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”, ka thënë diplomati i BE-së.
Më pas, emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka përshendetur gatishmerinë e Kurtit që t`u ofrojë lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në zbatimin e këtij ligji.
Ai ka deklaruar se Kurti është zotuar të amendamentojë këtë ligj.
“Kemi parasysh përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve të Kosovës për përfshirjen e komuniteteve në harmoni me zotimet që kanë dalë nga marrëveshjet e ndryshme me BE-në dhe për zotimin e Kurtit për amendamentimin e ligjit për të mos e ndërprerë ofrimin e shërbimeve në suaza të kornizës ligjore që ekziston. Të gjitha këto ndryshime ligjore kërkojnë kohë. Përpjekjet duhet të jenë përfshirëse dhe të konfirmohen në harmoni me të gjitha marrëveshjet e dialogut”, ka thënë Sorensen.
Sipas tij, prioritet kyç është që të sigurohen leje për punëtorë dhe studentë për një periudhë fillestare prej 12 muajve.
“Prioriteti kyç është që të sigurojë leje për punëtorë dhe studentë për një periudhë fillestare prej 12 muajve në mënyrë që të mos pengohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe për këtë duhet të lejohet njohja e letërnjoftimeve deri në vitin 2026 dhe në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës duhet t’i regjistrojë individët të cilët në harmoni me ligjin e Kosovës dhe me statusin e tyre civil”, është shprehur ai.
Kurse, kryeministri Albin Kurti ka treguar se procesi i zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së, Peter Sorensen.
Në adresimin e tij në konferencën për media, ai ka Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësore dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë.
Më pas, sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë ata me lejet e përkohshme.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, shefi i qeverisë ka treguar për lehtësirat tjera që Qeveria do të ofrojë.
“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, është shprehur ai.
Deklarata e Kusari-Lilës për TVSH-në dhe akcizën
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se po e përcjellin me vëmendje situatën lidhur me shtrenjtimin e naftës, që të mos ketë abuzime me çmim.
Kusari-Lila është deklaruar pas kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja për lirimin e TVSH-së për derivate dhe heqjen e akcizës.
Ajo ka thënë se po shqyrtohen kërkesat për tërheqjen e akcizës apo lirimin e TVSH-së po shqyrtohen, por tha se çdo ndryshim duhet të bëhet nga Kuvendi, që aktualisht mbetet i pezulluar.
“Jemi me vëmendje duke përcjellë situatën që të mos ketë abuzim me çmim, e dyta jemi duke përgatitur planifikime strategjike për ta rritur rezistencën ndaj rrethanave të krijuara në tregun botëror. Kërkesat që kanë të bëjnë me tërheqjen e akcizës apo TVSH-në jemi duke i shqyrtuar me kujdes, por jo që mund themi sot se mund të ndryshohet akciza. Si e parë e punës akciza është e përcaktuar me ligj dhe rrjedhimisht çfarëdo ndryshimi duhet bërë nga Kuvendi dhe e dyta, TVSH-ja dhe akciza janë të hyra të buxhetit që në situatën aktuale mbesin ashtu siç janë, por jemi duke shikuar se cilat janë mundësitë për të ndikuar nëse ka rritje të mëtutjeshme natyrisht në zinxhirin e furnizimit, pra që të mos ketë multiplifikim apo zinxhir të rritjes edhe te produktet tjera”, tha Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se lirimi i TVSH-së asnjëherë s’ka qenë opsion e as heqja e akcizës.
“TVSH-ja nuk ka qenë asnjëherë opsion, pasi është vështirë të monitorohet, pasi TVSH është ajo që paguhet nga qytetarët, prandaj lehtësisht thuhet, por është vështirë të bëhet, pasi mund të përfundojmë në situata kur hiqet TVSH, por çmimi mbetet i njëjtë, pasi operatorët ekonomikë nuk e heqin dhe ne nuk kemi mekanizëm për ta mbajtur çmimin tavan edhe për produkte të tjera. Sa i përket akcizës, mbetet të përcjellët, nuk e konsiderojmë si opsion, por e përcjellim situatën që çmimi nuk kalon çmimin e marzhës së caktuar”, ka thënë Kusari-Lila.








