Zidane drejt Francës, marrëveshje e mbyllur. Merr drejtimin e kombëtares pas Botërorit 2026

Kalimi i Zinedine Zidane në stolin e Francës është tashmë një “sekret publik”, që pret vetëm zyrtarizimin. Sipas “Le Parisien”, marrëveshja mes ish-trajnerit të Real Madridit dhe Federatës Franceze është arritur plotësisht, duke shënuar fundin e epokës së Didier Deschamps.

Zidane pritet ta marrë drejtimin menjëherë pas Kupës së Botës 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Pas refuzimit të ofertave të mëdha nga Premier League dhe Arabia Saudite, “Zizou” ka pranuar projektin e vetëm për të cilin ishte gati të rikthehej, kombëtaren franceze. Burime pranë negociatave theksojnë: “Është sikur gjithçka tashmë të jetë bërë”.

Ky ndryshim shënon fundin e një cikli të artë për Francën. Deschamps, në krye që nga viti 2012, lë pas një trashëgimi me Botërorin 2018 dhe një ‘Nations League’ të fituar. Megjithatë, pas më shumë se një dekade, nevoja për rinovim dhe presioni i emrit të Zidane kanë përshpejtuar tranzicionin. Me një brez yjesh si Kylian Mbappé, Franca përgatitet për një epokë të re nën drejtimin e Zidane.

 

The post Zidane drejt Francës, marrëveshje e mbyllur. Merr drejtimin e kombëtares pas Botërorit 2026 appeared first on Telesport.