“Tani është momenti i verdiktit. Këto 120 ditë kanë qenë një torturë e vazhdueshme, por kanë shërbyer edhe për të sjellë diçka më shumë, një shpirt të thellë dhe mirëkuptim që do të na duhet”. Kështu u shpreh Gianluigi Buffon, kreu i delegacionit të kombëtares italiane, në lidhje me grumbullimin për “play off”-et. Axurrët e drejtuar nga Gennaro Gattuso, të enjten luajnë gjysmëfinalen në Bergamo kundër Irlandës së Veriut. Për t’u verifikuar mbeten gjendjet e Bastoni, Mancini dhe Scamacca.
“Është e vërtetë, – tha Buffon, – e ndiejmë skepticizmin e njerëzve. Sidoqoftë, jam i bindur që edhe kritikët, në vërshëllimën e fillimit, do të bëjnë tifo për Italinë. Në këtë moment duhet para së gjithash një mesazh nga ne për t’ua ndryshuar mendjen. Presioni mbi lojtarët? Janë të gjithë djem shumë të fortë, të mësuar ta menaxhojnë çdo lloj presioni. Magjia e kombëtares italiane shkon përtej vështirësive.
Duhet ta respektojmë Irlandën e Veriut, por besoj se 100% e skuadrës sonë mjafton për të arritur finalen. Lojtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për cilësitë e tyre. Sukseset e sporteve të tjera duhet të na motivojnë, rikthimi në nivelet më të larta është objektivi ynë”.
The post Buffon: Është ora e verdiktit për Botërorin, t’u ndryshojmë mendim edhe skeptikëve appeared first on Telesport.










