Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka kritikuar interpretimet publike të Kushtetutës që nuk bazohen në dispozita konkrete ligjore, duke i cilësuar ato si “përralla juridike”.
Në një diskutim në “Përballje Podcast”, ai theksoi se interpretimi i normave kushtetuese kërkon qasje profesionale dhe referim të drejtpërdrejtë në nene dhe kapituj të Kushtetutës.
“Nëse interpretimi bëhet pa nene, pa kapituj, ajo quhet përrallë juridike”, deklaroi Kryeziu.
Sipas tij, interpretimi juridik nuk mund të mbështetet në qëndrime subjektive apo politike, por duhet të jetë i bazuar në ligj.
“Ne juristët interpretimin duhet ta bëjmë me nene, me dispozita, me kapituj”, theksoi ai.
Ai paralajmëroi se qasjet joprofesionale mund të krijojnë konfuzion dhe të dëmtojnë funksionimin e shtetit.
“Këto shpjegime nuk janë profesionale… e rrëzojnë shtetin”, u shpreh Kryeziu.
Duke folur për pretendimet për shkelje kushtetuese, Kryeziu theksoi se Kushtetuta nuk mund të konsiderohet e shkelur në çdo rast apo nga çdo veprim.
“Kushtetuta shkelet vetëm në raste specifike dhe ato janë shkelje serioze”, deklaroi ai.
Kush mund ta shkelë Kushtetutën?
Sipas tij, përgjegjësia për shkelje kushtetuese lidhet vetëm me bartësit më të lartë të institucioneve shtetërore.
“Kushtetuta nuk mund ta shkelë çdokush… mund ta shkelë presidenti, kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në raste specifike që prekin integritetin territorial të shtetit…..”, theksoi Kryeziu.
Në fund, Kryeziu rikujtoi se interpretimi i Kushtetutës është një proces kompleks që kërkon ekspertizë të lartë profesionale.
“Interpretimi i normës është art – quhet arti juridik”, deklaroi ai./Telegrafi










