Parandalohet futja e drogës në Dubravë, u gjet e mbështjellë me qese najloni

Është parandaluar futja e substancave të dyshuara narkotike brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës gjatë mesditës të së dielës, kanë njoftuar nga ky institucion.

Gjatë kontrollit të gjësendeve të sjella nga një vizitor, thuhet se është gjetur në mënyrë të kamufluar një sasi e lëndës së dyshuar narkotike, e mbështjellë me qese najloni, me peshë totale rreth 43 gramë.

Si rezultat, vizita thuhet se është anuluar, ndërsa vizitori është ndaluar në sallën e vizitave.

“Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës, të cilët kanë marrë në posedim substancën e dyshuar dhe kanë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.