Ambasadori Rudolph: Dialogu kyç për stabilitet dhe perspektivë evropiane

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph tha se dialogu Kosovë – Serbi është kyç për stabilitetin rajonal dhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Ai theksoi dialogu ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve nga konfliktet e kaluara.

“Ai është thelbësor për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Rudolph për RTK2, transmeton Klankosova.tv .

Ai shtoi se përparimi në zbatimin e marrëveshjeve lidhet direkt me cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Është e rëndësishme që qytetarët të ndjejnë përmirësime në jetën e përditshme”.

Si shembull konkret, ai përmendi bisedat me përfaqësues të komunitetit serb për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Automjetet.

“Në veri, gjatë bisedave me katër kryetarë komunash dhe ekipet e tyre, folëm për ndikimin që kjo do të ketë tek zgjedhësit e tyre. Më inkurajoi kur thanë se do t’i ftonin qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet për zbatimin e ligjit. Këtë tani po e shohim edhe në praktikë”, tha ambasadori gjerman.

Ai deklaroi se komuniteti ndërkombëtar, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, ka qenë aktivisht i angazhuar në përgatitjen e ligjit për të huajt dhe automjetet.

“Çfarë po diskutojmë tani është si të zbatohet ky marrëveshje në të gjithë Kosovën”, tha diplomati gjerman.

Ai theksoi veçanërisht se marrëveshja u arrit me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe përfshin garanci të rëndësishme për qytetarët.

“Nuk duhet të ketë ndërprerje të shërbimeve në shëndetësi dhe arsim”.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar po bashkëpunon ngushtë me institucionet për të siguruar që ligji të zbatohet në një mënyrë që nuk e pengon jetën e përditshme të qytetarëve.