Ndryshe nga shqetësimi që ka ngjallur në Prishtinë stërvitja ushtarake e Serbisë pranë kufirit me Kosovën, Tirana zyrtare duket më gjakftohtë.
Kjo qetësi në lidhje me këtë situatë që ka alarmuar kryeministrin e Kosovës, sipas ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi, buron nga fakti se atje vepron KFOR-i, ku janë të përfshira edhe trupat shqiptare si angazhim që vjen në kuadër të një vendi anëtar të NATO-s.
“E gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe e Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR. Shqetësimet që mund të perceptohen përmes mediave, publikimeve apo replikave në rajon, në Shqipëri përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët; kjo na bën të ndihemi të sigurt për sa kohë që ne përmbushim detyrat tona kundrejt Aleancës”.
I pyetur, Nufi i cilësoi edhe reagimet e Serbisë ndaj bashkëpunimit trilateral në fushën e mbrojtjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci si ekzagjerime të rreziqeve të pretenduara nga Beogradi./Tv Klan










