Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se Vjosa Osmani qëndron prapa gjurmimit të paligjshëm të tij nga Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Në shtator të vitit të kaluar, një pajisje gjurmuese GPS u gjetë nga Kajtazi në veturën e tij. Gazetari e denoncoi lëndën në Polici.
Sipas Kajtazit, hetimet e deritashme kanë zbardhur disa detaje për atë të cilën ai e quan “përndjekje” të tij.
Urdhëresën për vëzhgimin e paligjshëm të Kajtazit dhe vendosjen e pajisjes gjurmuese në automjetin e tij, Kajtazi thotë se e ka nënshkruar zëvendësshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Agon Bytyqi, një njeri i afërt me Vjosa Osmanin.
“Agon Bytyqi në mënyrë të kundërligjshme ka urdhëruar dhe ka nënshkruar një urdhëresë që zyrtarët e AKI-së me më përndjek mua në mënyrë të paligjshme. Me nënshkrim të tij më është vendosur GPS dhe me nënshkrim të tij më kanë ardhur te zyrja, më kanë ardhur te puna, te familja, më kanë ardhur kudo, me urdhër të Vjosa Osmanit”, tha Kajtazi në emisionin VV Show të dielën.
“Prandaj Vjosa Osmani është përgjegjëse për përndjekje të kundërshtarëve që ajo i konsideron, të gazetarëve, bashkë me Albin Kurtin, por përgjegjësia i mbetet asaj. Ja ku i ke njerëzit të cilët më kanë përndjekur një kohë të gjatë”.
Dy agjentët të cilët e përndiqnin ilegalisht, Kajtazi i ka treguar me fotografi por pa i identifikuar për publikun.
“Të dy janë njerëz të AKI-së, të dy kanë me japë përgjegjësi, edhe ajo edhe kushdo qoftë. Se këta njerëz në mënyrë kriminale më kanë përndjekur mua dhe kush e ka urdhëruar, njeriu i Vjosa Osmanit. Prandaj nuk mundem me ia falë askujt që e ka shkelur ligjin. Dhe nuk mundet sot Vjosa Osmani me dalë poli i kundërt i Albin Kurtit derisa të dy bashkë ishin aksionarë në krim”, ka thënë ai. /Paparaci.com










