Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sa i përket Ligjit për të huajt, Qeveria vetëm është duke zbatuar një ligj të miratuar para 13 vjetësh për inkorporimin e strukturave në arsim dhe shëndetësi në sistemin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për zbatim gradual dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Kurti ka bërë të ditur se synimi është përfshirja e të gjitha strukturave në kuadër të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendit, duke siguruar se as pacientët dhe as nxënësit serbë nuk do të mbesin pa shërbime.
“Ne veçse po zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vjetëve. Dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave të cilat janë në sistemin e shëndetësisë dhe të arsimit. Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë, sikurse ato të sigurisë, pastaj të financave, të administrimit, nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës, kanë ngelur edhe arsimi e shëndetësia. Ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë, është e domosdoshme që njëherë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve, infermierëve të cilët punojnë në këto struktura në sistemin arsimor”, tha ai.
Ai theksoi se procesi do të zhvillohet në mënyrë legale dhe me afate të përcaktuara për pajisje me dokumente të Republikës së Kosovës.
“Ne nuk dëshirojmë që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor. Ne nuk dëshirojmë që nxënësit serbë të ngelen pa mësim. Por kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E në mënyrë legale do të thotë përbrenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, dhe në këtë aspekt po punojmë duke dhënë edhe një dritare dymbëdhjetë mujore, përkatësisht tremujore për qëndrim, pastaj për punë dhe për pajisje me dokumentet e Republikës së Kosovës. Ju e dini që afate të tilla, të ngjashme kemi dhënë edhe kur ka qenë puna për targat e automjeteve, prandaj gjithçka po shkon siç është më së miri, dhe ky nuk është një veprim politik, ky është zbatim i ligjit, zbatim gradual në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në mënyrë që në Kosovë të kemi legalizim, normalizim, investime, për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha Kurti.










