Nga këshilltar i Limajt në “Megafon” të zhurmshëm Xhevdet Pozhari po i shpërblehet mundi nga pushteti i Kurtit

Analistit Xhevdet Pozhari i ka shkuar për shtati roli i militantit të madh të Vetëvendosjes qëkur ajo nisi të ngrihej në pushtet. Përkrah tij ka përfituar edhe bashkëshortja e tij e njohur për punësimin në Universitetin “Haxhi Zeka” e krejt së fundmi edhe për aplikimin e saj për postin e gjyqtares në Gjykatën Kushtetuese.

Pozhari jo më larg se në fillim të muajit mars 2026 kishte drejtuar krejt forcat e veta në fushatën e militantëve e anëtarëve të Vetëvendosjes kundër presidentes Vjosa Osmani kur vendosi që me dekret të shpërndante Kuvendin e Kosovës.

Ama, Pozhari, “megafoni” i pushtetit të Albin Kurtit, nuk kishte përdorur rrjetet sociale dhe paraqitjet e tij televizive vetëm për të, ai në të kaluarën ka përfituar poste prej pushteteve të ndryshme kur qe bërë zëri i tyre.

Zanatin e gazetarit e ka shfrytëzuar herë si trampolinë, herë sa për t’u angazhuar deri në kapjen me pushtetin e radhës.

Lidhjet me pushtetin e kishte nisur në vitin 2010 kur qe emëruar Këshilltar politik dhe zëdhënës i Ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limajt. Këtë pozitë e kishte mbajtur prej 1 prillit të vitit 2010. Paga e tij bruto ishte 577 euro e 50 centë.

Sidoqoftë, Pozhari kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas një viti për arsye ende të pazbardhura, njashtu siç janë edhe këshillat e tij karshi Limajt.

Por, të mirat për Pozharin nuk do të mbaronin atë kohë. Deri më 2013 nuk dihet se çfarë punë bënte Pozhari, edhe pse marrëdhëniet i kishte kryesisht të mira me krejt pushtetet.

Po atë vit, kryetar i Prishtinës zgjidhet Shpend Ahmeti, nën ombrellën e LVV-së. Kësisoj, Pozhari kishte “nuhatur” të mirat që mund t’i vinin pas fitores së Vetëvendosjes në kryeqytet.

Prandaj, Ahmeti e shpërblen atë me pozitën zëdhënësit. Krejt më pas, Pozhari iu kthye gazetarisë për disa vite.

Ai, zhvilloi disa intervista me njerëz të ndryshëm e që transmetoheshin dikur nëpër televizione dhe portalin e tij.

Aq shumë e përkrah Kurtin, saqë Pozhari nuk kishte ngurruar t’i ofendojë edhe disa prej politikanëve opozitarë, vetëm për t’i dalë në mbrojtje shefit të qeverisë.

Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Emine Abdyli Pozhari që prej vitit 2021 kur VV-ja erdhi në pushtet, kishte nisur të merrte pozita, fillimisht në Universitetin Publik në Pejë “Haxhi Zeka”.

Emine Abdyli Pozhari ishte njëra nga tre të emëruarit e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në pozitën e anëtare së Këshillit Drejtues të Universitetit Publik në Pejë “Haxhi Zeka”.

Vendimi ishte marrë në vitin 2021 nga ministrja e MASHT-it, Arberie Nagavci.

“Vendim për emërimin e tre anëtarëvetë emëruar nga MASHT në Këshillin Drejtues të Universitetit Publik “Haxhi Zeka”:1 Majlinda Belegu, 2. Emine Abdyli Pozhari, 3 Mersiha Kacmakovic. Vendimi hynë në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhej në vendimin e MASHT.

Në mars 2026, bashkëshortja e analistit të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Xhevdet Pozhari, i është futur garës për pozitën e gjyqtares në Gjykatën Kushtetuese.

Abdyli-Pozhari, momentalisht profesoreshë asistente në Universitetin e Prishtinës, ndodhet në mesin e 25 kandidatëve që kanë konkurruar në thirrjen për dy pozita për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

“Të martën, më 17 mars, ka përfunduar afati i ftesës/thirrjes publike për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Deri në orën 16:00 kanë aplikuar 25 kandidatë: Vigan Rogova, Zahir Çerkini, Besard Belegu, Makfirete Krasniqi, Selman Ymeri, Avdylkadër Muçaj, Elton Tota, Benina Kusari, Ramadan Gashi, Shabi Idrizi, Rafet Haxhaj, Valbona Shala Thaqi, Shpresa Emra, Suzana Gashi, Ardita Haxhnikaj Demi, Novitet Nezaj, Alban Muriqi, Flamur Mrasori, Emine Abdyli Pozhari, Përparim Kalo, Nazmije Krasniqi Jusufi, Riza Krasniqi, Jorida Xhafaj, Islam Sllamniku dhe Bahrije Zaçaj”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Bashkëshortja e analistit Xhevdet Pozhari medoemos është duke synuar një pozitë në funksione të lartë shtetërore.

Në janar të vitit 2024, Emine Abdyli ishte rekomanduar për anëtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Bashkë me Abdylin ishte rekomanduar edhe Dardan Vuniqi, i cili në fund kishte dalë fitimtar karshi Abdylit. Vuniqi, është dëshmuar edhe në punë si besnik i linjës së pushtetit. Si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës gjatë përplasjeve brenda dy grupeve të krijuara në këshill, ai u bashkua me taborrin e atyre të afërm me pushtetin.

Thirrja për dy pozita në Gjykatën Kushtetuese është hapur pas skadimit të mandatit të dy gjyqtarëve në këtë gjykatë.

Pushteti kishte synuar “kapjen” e kësaj gjykate edhe në thirrjen e kaluar duke përkrahur Vigan Qorollin, i cili pas dështimit ishte emëruar zëvendësministër i Drejtësisë në Qeverinë Kurti.