Jan Urban është kritikuar për mënyrën se si po e trajton çështjen e ftesës për Oskar Pietuszewskin. Në një intervistë për “Sport.pl”, në mbrojtje të trajnerit të kombëtares polake doli Zbigniew Boniek. Më 26 mars, Polonia do të përballet me Shqipërinë, ku në lojë është një vend në finalen e “play off”-it për kualifikim në Botërorin 2026. Trajneri pritet të shpallë listën menjëherë pas ndeshjeve të 1/8-ve të “Europa League” dhe “Conference League”.
Ende nuk dihet çfarë vendimi do të marrë Urban për Pietuszewskin. Tifozët dhe gazetarët kërkojnë ftesë për 17-vjeçarin, i cili po shkëlqen me FC Porto. Megjithatë, trajneri me përvojë preferon të tregojë kujdes dhe thekson se është herët për t’u entuziazmuar me atë që po bën sulmuesi i ri i krahut. Boniek theksoi se, sipas tij, Pietuszewski do të marrë një shans nga Urban: “Nëse nuk do ta bënte këtë, nuk do të isha shumë i habitur.
Edhe unë dikur hyra në përfaqësuesen e parë të Polonisë, i njoh këto emocione dhe e di sa të mëdha janë vështirësitë. Edhe Urban e ka kaluar këtë fazë. Një debutues hyn në fushë duke menduar të bëjë sa më pak gabime dhe të mos prishë asgjë. Nuk tenton të bëjë diferencën apo të vendosë ndeshjen. Rezultatin duhet ta vendosin lojtarët më me përvojë, si Robert Lewandowski, Piotr Zieliński dhe të tjerë.
Nuk ka kuptim t’i shtosh presionin një 17-vjeçari. Megjithatë, ai është një nga zbulimet më të mëdha në futbollin polak të dekadës së fundit dhe trajneri jo vetëm që mund ta ftojë, por edhe ta aktivizojë në formacion titullar. Sidomos pasi Nicola Zalewski është i pezulluar për kartonë. Nuk duhet ta shpallim shpëtimtar të kombëtares, sepse kjo nuk i bën mirë as lojtarit dhe as Polonisë”.
Më tej, Boniek theksoi se ndeshja ndaj Shqipëria ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe nuk lejon rreziqe të panevojshme: “Një humbje ndaj Shqipërisë do të ishte tronditje e madhe për futbollin polak, me pasoja serioze për trajnerin dhe ekipin. Sipas meje, Shqipëria është një kundërshtar shumë i vështirë dhe i paparashikueshëm, një kombëtare me eksperiencë dhe inteligjencë në lojë, në një nga momentet më të mira të saj. Shqipëria ka treguar forcë duke dalë përpara Polonisë në eliminatoret e fundit, ku ishin në një grup”.
Boniek kujton gjithashtu se ndeshja e fundit mes tyre në Varshavë u fitua nga Polonia vetëm 1-0 dhe me shumë vështirësi. Ai e mbyll duke theksuar: “Polonia është favorite në letër, por nuk do të jetë aspak një ndeshje e lehtë. Shqipëria duhet mposhtur me çdo kusht, sepse niveli i vështirësisë është shumë i lartë dhe nuk ka vend për gabime. Sipas meje, Shqipëria mund të surprizojë në çdo moment”.
The post Një 17-vjeçar bëhet “mollë sherri” te Polonia, Ndërhyn Boniek: Disfata ndaj Shqipërisë, tronditje e madhe për futbollin polak appeared first on Telesport.









