MPJD me njoftim, jep detaje për tragjedinë në Austri

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me njoftim për aksidentin e rëndë në kantierin e ndërtimit në Vjenë të Austrisë ku mbetën të vdekur tre shtetas të Kosovës.

MPJD-ja ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur në Alsergrund të Vjenës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se dje rreth orës 14:15, në Vjenë të Republikës së Austrisë, ka ndodhur një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën disa persona”, thuhet në njoftim.

“Sipas informacioneve zyrtare të konfirmuara nga autoritetet austriake, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund të Vjenës gjatë punimeve ndërtimore, ku si pasojë e shembjes së një pjese të konstruksionit, punëtorë kanë mbetur të zënë nën rrënoja”, thuhet më tej.

Bazuar në konfirmimet zyrtare dhe në informacionet e siguruara përmes kontakteve me familjarët, deri në këto momente është konfirmuar se nga viktimat e identifikuara janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj me prejardhje nga Republika e Kosovës.

“Që nga marrja e informacionit, institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të lehtësuar procedurat përkatëse për kthimin e trupave të tyrë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.