Konfirmohet rast i sëmundjeve infektive tek gjedhët në Lubishtë të Vitisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë njoftuar se më 3 mars është konfirmuar rasti i brucelozës dhe turberkulozit te gjedhët në fshatin Lubishtë të Vitisë.

Sipas njoftimit, autoritetet kompetente kanë nisur menjëherë ndërmarrjen e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.

AUV-i ka bërë të ditur se është duke vepruar brenda afateve ligjore për menaxhimin e situatës, duke përfshirë edhe procesin e asgjësimit të kafshëve të infektuara. Sipas dispozitave ligjore, eliminimi i kafshëve të prekura duhet të realizohet brenda një afati deri në 30 ditë nga data e konfirmimit.

Institucionet theksojnë se të gjitha veprimet po zhvillohen në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Njëkohësisht, autoritetet u kanë bërë thirrje fermerëve dhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë që mund të lidhet me këto sëmundje.