Një muaj paraburgim për prindërit që keqtrajtuan fëmijën e tyre 5-vjeçar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj prindërve që keqtrajtuan fëmijën e tyre 5-vjeçar.

A.K dhe V.P po dyshohen për veprën penale, shkelja e detyrimeve familjare dhe lëndim i rëndë trupor.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

5-vjeçari aktualisht është duke marr trajtim mjekësor në repartin e Kujdesit Intenziv Pediatrik në Klinikën e Pediatrisë pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë

“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, kishin thënë dje nga QKUK.

Nga QKUK kanë bërë të ditur se pas konsultave mjekësore me pediatrinë dhe kirurgun plastik është rekomanduar që 5-vjeçari të hospitalizohet urgjentë në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.