Picula: Serbia është në një “të kuqe të thellë” në shumë fusha të rëndësishme

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka paraqitur një vlerësim kritik për gjendjen politike dhe demokratike në Serbi, duke theksuar se reformat janë ngadalësuar ndjeshëm dhe se Serbia po mbetet prapa në shumë prej parametrave kyç që matin progresin drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, vendi ndodhet në “të kuqe të thellë” në fusha të rëndësishme, ndërsa panorama mediatike është cilësuar si shqetësuese dhe larg standardeve evropiane.

Picula vuri në dukje se hendeku mes Beogradit dhe Brukselit nuk është ngushtuar gjatë vitit të fundit, përkundrazi, ai mbetet i thellë si në aspektin politik ashtu edhe në atë institucional. Ai kritikoi qasjen e autoriteteve serbe ndaj BE-së, duke thënë se ato nuk e trajtojnë BE-në si partner që mund të ndihmojë në adresimin e mangësive demokratike, pavarësisht se integrimi evropian mbetet një qëllim i deklaruar i vendit, transmeton Paparaci.

Sipas tij, ashpërsia e raportit të fundit reflekton jo vetëm realitetin e brendshëm në Serbi, por edhe marrëdhëniet e tensionuara me institucionet evropiane. Ai theksoi se politika e deritanishme e BE-së, e cila shpesh ka toleruar devijimet në emër të stabilitetit, nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

Një element tjetër shqetësues, sipas Piculës, është mënyra se si janë pritur përfaqësuesit e Parlamentit Evropian gjatë vizitës së tyre në Beograd në fund të janarit, ku janë përballur me një atmosferë jashtëzakonisht armiqësore, gjë që lë pasoja në raportet ndërinstitucionale.

Megjithatë, ai theksoi se raporti nuk do të anashkalojë aspektet pozitive, por nënvizoi se zhvillimet negative gjatë vitit të fundit dominojnë ndjeshëm. Picula e përshkroi Serbinë si një vend në pike kthesë, ku përkushtimi i deklaruar për anëtarësim në BE nuk po reflektohet në veprimet konkrete të qeverisë.

Në këtë kontekst, ai paralajmëroi se do të bëhet gjithnjë e më e vështirë që Serbia të merret seriozisht në rrugën e saj drejt BE-së, nëse nuk ka ndryshime të dukshme në praktikat qeverisëse dhe në raportin ndaj standardeve evropiane. Ai ka thënë se shpreson që dokumenti përfundimtar të shërbejë si një udhëzues konstruktiv për reformat e nevojshme.

I pyetur për një takim të mundshëm me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë vizitës së saj në Bruksel, Picula tha se nuk ka informacion për këtë vizitë dhe se nuk është ftuar në ndonjë takim, duke shtuar se nuk merr pjesë në takime pa ftesë zyrtare./Paparaci.com