Shorti i Nyon-it vuri edhe një herë përballë Real Madrid dhe Manchester City, një duel që tashmë është kthyer në klasike të vërtetë të Champions League. Në 7 vitet e fundit, dy skuadrat janë përballur shpesh në fazat me eliminim direkt, duke dhuruar ndeshje spektakolare dhe shpesh të paparashikueshme.
Edhe përballja e fundit nuk bëri përjashtim. Në kthimin e 1/8-ave, të luajtur në “Etihad”, Real Madridi fitoi 2-1 pasi e kishte “blinduar” kualifikimin me 3-0 në ndeshjen e parë në “Bernabéu”. Ky sukses shtohet në një seri përballjesh europiane shpesh të favorshme për “Los Blancos”: nga çerekfinalet e 2023/24, të fituara me penallti pas 3-3 në vajtje, te gjysmëfinalja historike 2021/22, e vendosur në shtesë, si dhe dy fitoret në “play off”-et e edicionit të kaluar.
Manchester City ka pasur momentet e tij, si në sezonin 2022/23, kur fitoi 4-0 në kthimin e gjysmëfinales pas 1-1 në vajtje dhe më pas triumfoi në finale ndaj Interit. Së fundmi, anglezët kishin fituar 2-1 në “Bernabéu”, në fazën e ligës. Me rezultatin e mbrëmshëm, bilanci anon edhe më shumë nga Reali: 7 fitore ndaj 5 të City dhe 5 barazime. Edhe golat janë thuajse të ekuilibruar: 30 për spanjollët dhe 27 për anglezët.

The post Reali fiton një tjetër kapitull të “sfidës së pafund”, Guardiola përkulet sërish para “mbretit” appeared first on Telesport.










