Rasti në Lipjan, QPS merr nën përkujdesje edhe fëmijët e tjerë të çiftit të arrestuar

Qendra për Punë Sociale në Lipjan tashmë ka marr nën përkujdesje edhe fëmijët tjerë të dy prindërve të cilët u arrestuan pas dyshimit për keqtrajtim të fëmijës së tyre 5 vjeçar i cili është duke marr trajtim mjekësor në Kujdesin Intenziv Pediatrik pranë Klinikës së Pediatrisë.

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli tha se institucioni ka vepruar sipas kompetencave ligjore duke ndërhyrë menjëherë në rastet kur ka pasur rrezik për fëmijët.

Ajo theksoi se janë marrë masa emergjente mbrojtëse, përfshirë largimin e përkohshëm nga familja, bazuar në vlerësim profesional dhe në interesin më të mirë të fëmijëve.

“Qendra për Punë Sociale ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj ligjore dhe mandatin për mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve duke ndërhyrë pa vonesë në situatë ku është vlerësuar se ekziston rreziku i menjëhershëm për zhvillimin dhe integritetin e fëmijëve. Në të njëjtën kohë janë ndërmarrë masat, përfshirë largimin e përkohshëm të fëmijëve nga familja, janë zbatuar si masa mbrojtëse emergjente. Dhe normalisht të bazuara domethënë në vlerësimin profesional, multidisiplinor, duke pasur parasysh gjithherë domethënë interesin më të mirë të fëmijëve”, tha ajo.

E pyetur për gjendjen e 5 vjeçarit që po trajtohet në QKUK dhe sa e kanë vizituar punonjësit social, Shamolli deklaroi se Qendra për Punë Sociale ndërhyn në raste urgjente sipas protokolleve dhe siguron mbrojtje për fëmijët përmes kujdestarisë që përfshin jo vetëm strehimin, por edhe mbikëqyrje, vizita dhe përkujdesje të vazhdueshme për të garantuar trajtim të duhur sipas nevojave të tyre.

“Sigurisht po, domethënë Qendra për Punë Sociale veç në momentin domethënë të ndërhyrjes në raste urgjente, siç kërkohet domethënë edhe me protokollin e shërbimeve sociale, normalisht domethënë që ka marrë format e mbrojtjes siç është kujdestaria dhe realisht përveç strehimit, kujdestaria nënkupton domethënë edhe mbikëqyrjen, vizitat dhe interesimin në të gjitha fazat domethënë për të gjithë fëmijët, edhe sigurimin domethënë të një trajtimi të përgjegjshëm edhe konform nevojave të fëmijëve”, deklaroi ajo.

Shamolli duke mos treguar se sa fëmijë tjerë ka marr nën mbikëqyrje QPS-ja, tha se me rastin po merret organet hetimore dhe nuk mund të ndaj më shumë informacione.

“Për shkak të sigurisë, normal, domethënë institucionale dhe juridike, rasti është referuar, është në trajtim në organet kompetente të drejtësisë. Qendra sigurisht që mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të plotë ndërinstitucional me të gjithë aktorët relevantë, duke siguruar domethënë informacion, përputhje me legjislacionin në fuqi, statutin e mbrojtjes së fëmijëve dhe duke respektuar privatësinë dhe rolin e secilit institucion”, u shpreh Shamolli.

Ndryshe, 5-vjeçari për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është duke marr trajtim në Klinikën e Pediatrsië më saktësisht në repartin e Kujdesit Intenziv Pediatrik, ndërsa me urdhër të prokurorit të rastit dy prindërit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për caktim të masës së paraburgimit.

Prindërit e 5-vjeçarit nga Lipjani dyshohen për veprën penale “Shkelje e detyrimit familjar” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Ndërsa, i mituri nga Lipjani ka plagë të rënda në dy shputat e këmbëve dhe ndyshime të theksuara gangrenoze dhe dyshohet edhe për kequshqyerje. Po ashtu nga QKUK për KosovaPress kanë deklaruar se i mituri tahsmë po vazhdon trajtimin në Kujdesin Intenziv Pediatrik ku krahas konsultave mjekësore me kirurgë vaskular e pediatër është konsultuar edhe me psikologë.

Ky rast ka qenë i evidentuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.