Kusari-Lila deklarohet për rritjen e çmimit të derivateve: Marzha e fitimit mbetet nën kontroll

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila thotë se rritjet e fundit të çmimeve të derivateve të naftës në vend po reflektojnë rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

Ajo tha se masa masa për kufizimin e marzhës së fitimit po e mban situatën nën kontroll.

“Çmimi tavan apo marzha mbi fitimin në çmimin e naftës është bazuar në çmimin e një ditë përpara të sasive të derivateve të importuara. Dhe përderisa ka ngritje të çmimit në derivatet e importuara, lëviz edhe çmimi brenda tregut të brendshëm. Do të thotë, një blerës me shumicë, gjegjësisht një importues me shumicë mund ta ngrit çmimin mbi çmimin e importit vetëm 2 cent për litër. Prandaj, nëse në një ditë të caktuar, siç ka qenë dy ditë më parë, çmimi për litër të derivatit, në këtë rast të naftës, është importuar me 1 euro e 50 cent, me shumicë ajo mund të shitet më së shumti 1 euro e 52 cent. Përderisa me pakicë shtohet edhe 12 cent mbi çmimin bazë, që do të shkojë në 1 euro e 64 cent”, tha ajo.

Kusari Lila theksoi se reagimi i saj publik ishte i bazuar në çmimin e publikuar një natë më parë, ndërsa njoftimi për kufirin maksimal të çmimeve përfshin të gjitha derivatet, përfshirë edhe gazin.

“Reagimi im ditë më parë ka qenë i bazuar mbi çmimin e cili ishte një natë më parë që është edhe i publikuar në postim. Do të thotë, njoftimi për kufirin maksimal të çmimit të naftës apo të benzinës, në këtë rast në përgjithësi çmimi i derivateve, për arsye se hyn edhe gazi këtu, do të jetë në 2 cent në shumicë, 12 cent në pakicë mbi çmimin me shumicë. Prandaj lëvizjet që po ndodhin janë reflektim i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimit në tregun e jashtëm. Ne si vend importues, që nuk kemi rafineri, po ndikon shumë më shumë sesa vendet, për shembull vendet fqinje Greqia, Maqedonia e Veriut, që kanë rafineritë e naftës. Megjithatë, prapë te të gjithë është duke u reflektuar rritja e çmimit e në Kosovë po e ka ndikimin e drejtpërdrejtë”, tha ajo në një deklarim për media.

Sa i përket rezervave, ministrja tha se situata mbetet e qëndrueshme dhe larg panikut.

“Po mendoj, kjo si informacion është informacion i cili mbetet për institucionet, por situata është stabile me rezervat mund të them. Në raport me rezervat e importuesve, gjegjësisht kompanive që merren me tregtimin e derivateve, jemi duke i përcjellë edhe rezervat. Nuk ka lëvizje, nuk ka rënie në rezervat e tyre. Do të thotë ende është situatë e menaxhueshme dhe larg situatës së panikut”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe rastin e lirimit të rezervave shtetërore në disa vende, duke theksuar se Kosova nuk ndodhet në një situatë të tillë.

“Ka pasur vende, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë lëshuar një pjesë të rezervës shtetërore. Ne nuk kemi ardhur në atë pikë. Industria dhe ekonomia jonë nuk janë në atë nivel që është rrezikuar në masë të madhe. Megjithatë, megjithatë më duhet të them se është e pashmangshme ndikimi i mëtejshëm i asaj se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme me reflektimin në çmimin e derivateve. Ne do ta bëjmë maksimumin edhe jemi duke e bërë të përcjellim që nuk ka, të them, fluktuim jashtë normales. Gjegjësisht masa e vendosur ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll, por kontrolli brenda kësaj hapësire e cila po tregohet se po lëviz çmimi, por jo mbi të paimagjinueshmen ose në masë ku mund të ketë ndikim tepër serioz për të keq. Po e them që shkon edhe në një periudhë kohe deri në një stabilitet. Këtu ne nuk jemi akterë, ne jemi konsumues të rrethanave që po ndodhin atje. Por po shpresojmë që sa më parë të ketë një stabilitet. Parashihet në muajt në vijim, në veçanti në periudhën e verës, që do të ketë një stabilitet të çmimit”, tha ajo.

Ministrja bëri të ditur se ka pasur edhe shkelje të vendimit për marzhën e fitimit, por se Inspektorati i Tregut ka reaguar me masa ndëshkuese.

“Po, ka pasur dy kompani që kanë shkelur vendimin tonë dhe Inspektorati më ka informuar për dy kompanitë, të cilat kanë masën e parë gjobën, masën e dytë tërheqjen e licencës. Nuk ka ardhur te masa e dytë. Do të thotë janë ndaluar tek dënimi, gjegjësisht reagimi i parë i Inspektoratit të Tregut”, tha ajo.