SHBA-ja përshëndet marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të Huajt

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën njoftimin për arritjen e një marrëveshjeje në lidhje me zbatimin e Ligjit për të Huajt, thuhet në një deklaratë me shkrim të zëdhënësit të ambasadës amerikane në Kosovë, transmeton Paparaci.

Në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë theksohet se Uashingtoni mbështet angazhimin e palëve të përfshira për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Njëkohësisht, theksohet se çdo ndryshim që ndikon në komunitetin e serbëve të Kosovës duhet të zbatohet “në konsultim të ngushtë me këtë komunitet dhe me mbështetjen e tij”.

Më herët, drejtori për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, vlerësoi përpjekjet e përfaqësuesit të veçantë të BE-së, Sorensen dhe falënderoi të gjithë ata që janë angazhuar në mënyrë konstruktive për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm të shërbimeve publike në Kosovë./Paparaci.com