“Kjo nuk është luftë e Evropës”, ka qenë porosia e Bashkimit Evropian drejtuar Washingtonit pas thirrjes që evropianët ta ndihmojnë ndaj Iranit, ani pse çmimet e naftës vazhdojnë të ngrihen.
Mesazhi i Evropës për Donald Trumpin të hënën ka qenë shumë i qartë: Nuk do të ndihmojmë të sigurosh Ngushticën e Hormuzit.
Ministrat e Jashtëm nga 27 vendet anëtare të BE-së janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar ftesën e presidentit amerikan për shtetet evropiane që të ndihmojnë për të siguruar ngushticën detare, kanal kyç i naftës që Irani e ka bllokuar si shenjë hakmarrjeje pas sulmeve amerikane dhe izraelite, shkruan revista e njohur “Politico”.
Mes shumë ideve që qarkulluan ishte ajo për zgjerimin e mandatit të misionit detar të BE-së të njohur si “Aspides”, që ua mundëson luftanijeve evropiane që të dërgohen për patrullime në ngushticën mes Gjirit Persik dhe atij të Omanit.
Mirëpo pas disa orësh bisedimesh me dyer të mbyllura për luftën në Iran, kryediplomatët e Evropës e bën të qartë se ky është problem që duhet ta zgjidh Amerika.
“Evropa nuk ka interes për këtë luftë”, ka thënë kryediplomatja Kaja Kallas të hënën pas takimit. “Kjo nuk është luftë e Evropës, por interesat e Evropës janë direkt në rrezik”.
Ani pse nuk pati qëllime të qarta mes ministrave për të forcuar misionin detar të BE-së në Lindjen e Mesme, “nuk kishte apetite as për ta ndryshuar mandatin”, ka shtuar Kallas, duke iu referuar dërgimit të luftanijeve në Ngushticë.
“Zgjerimi i mandatit për të mbuluar Ngushticën e Hormuzit… nuk kishte apetite nga shtetet anëtare për ta bërë këtë. Askush nuk dëshiron që të jetë aktiv në këtë luftë”, ka theksuar kryediplomatja e BE-së.
Trumpi tha për revistën “Financial Times” se do të ishte fort keq për të ardhmen e NATO-s nëse shtetet evropiane nuk u përgjigjen thirrjeve të tij për ndihmë. Ai shkroi në rrjetet sociale se ishte në kontakt me shtatë shtete për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, por nuk ka përmendur me emra këto shtete.
Ndërkaq, të hënën, Trumpi ka thënë se ishte i bindur që Franca do ta asistonte SHBA-në. “Mendoj se ai [Emmanuel Macron] do të ndihmojë. Do t’ju njoftoj sepse dje kam folur me të”, ka thënë Trumpi. Ai gjithashtu ka theksuar se nuk ishte i lumtur me reagimin e Mbretërisë së Bashkuara dhe se ishte i befasuar pasi kryeministri britanik Kei Starmer deklaroi se nuk do të përfshihet në luftë më të gjerë lidhur me Iranin.
Trumpi u kundërpërgjigj duke thënë se “neve nuk na duhet askush” dhe se “jemi shteti më i fortë në botë”, mirëpo kërkesa e tij për ndihmë ishte test i solidaritetit, për të parë reagimin e shteteve evropiane në kohën kur mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka ngritur çmimet e naftës.
“Me vite kam thënë se nëse na duhet ndihma e tyre, ata nuk do të jenë aty për ne”, ka thënë presidenti amerikan.
Është e qartë se kryeqytetet evropiane nuk duan të përfshihen dhe dëshirojnë që Trupi të ndalet me thirrjet për ndihmë.
“Amerikanët zgjodhën këtë rrugë, bashkë me izraelitët”, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke theksuar se përgjegjësia kryesore e Gjermanisë është mbrojtja e territorit të NATO-s.
“Nuk e nisëm ne këtë luftë”, shtoi Pistorius.









