Robert Moreno, aktualisht pa skuadër, pas eksperiencës te PFC Sochi, ka folur në podcastin “El camino de Mario” mbi periudhën e tij me Spanjën dhe marrëdhënien me Luis Enrique. Moreno tregoi se kur Luis Enrique u largua për shkak të problemeve familjare, ai nuk merrte asnjë vendim pa u konsultuar me të: “Nuk bëja asnjë hap pa e pyetur, përveç vendimeve teknike. Ai më tha: Tani është përgjegjësia jote, unë nuk dua të di asgjë”.
Ai kujtoi edhe bisedën me Luis Rubiales: “I thashë presidentit që nëse ishte problem, mund të largoheshim pa kërkuar para. Ai më tha se duhej të bëhesha unë trajneri, që Enrique të kishte mundësi të kthehej në të ardhmen”. Pas vdekjes tragjike të vajzës së Luis Enrique, Moreno shkoi ta takonte: “I thashë se do ta mbaja fjalën time, por ma preu shkurt se nuk më llogariste dhe nuk do të punonim më bashkë”.
Moreno pranoi se ajo periudhë ishte shumë e vështirë: “Shpesh rrëfimi është më i fortë se e vërteta. Unë zgjodha të hesht nga respekti për situatën”. Moreno shpjegoi se pjesa tjetër e stafit teknik që punonte me ta në atë periudhë u rikthye më vonë të bashkëpunonte me Luis Enrique, ndërsa ai ishte i vetmi që mbeti jashtë: “Pra, në fund ndodhi vetëm me mua. Pjesa tjetër e stafit u kthye me të”.
Për këtë arsye, trajneri 48-vjeçar pranoi se situata i ka lënë një plagë personale dhe emocionale: “Unë humba dy miq atje”.
The post Robert Moreno: Do doja të rregulloja gjithçka me Luis Enrique, humba dy miq appeared first on Telesport.










