Milani humbi 1-0 në fushën e Lazios dhe u largua nga kryesuesi Inter, tani në distancë prej 8 pikësh. Pas ndeshjes, për mikrofonat e DAZN, trajneri Massimiliano Allegri analizoi humbjen në “Olimpico”, të vendosur nga goli i Gustav Isaksen:
“E dinim vështirësinë e ndeshjes, duke nisur nga një Lazio që rikthente tifozët në stadium dhe i jepte shumë rëndësi sfidës. Duhej të ishim më të rregullt në pjesën e parë për të shmangur golin që pësuam. Pastaj gabuam shumë teknikisht, duke i dhënë shumë hapësira në fushë të hapur Lazios që luan më vertikalisht. Gola të tillë nuk duhen pësuar”.
Ndryshe ishte qasja në pjesën e dytë: “Në pjesën e dytë ata ranë fizikisht dhe ne bëmë më mirë, por nuk mjaftoi. Ky është futbolli, duhet të rikthehemi menjëherë”. Për objektivin sezonal, Allegri mbetet realist: “Shumë flisnin për titullin, por duhet të jemi realistë dhe të mendojmë për objektivin e Champions-it, përndryshe rrezikojmë të shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar në 6 muaj”.
Për debatin me Rafael Leão në momentin e zëvendësimit: “Ishte nervoz sepse pati situata ku mund të ishte shërbyer më mirë. Janë gjëra që ndodhin gjatë një ndeshjeje”.
The post Allegri: Titulli? Të jemi realistë, synojmë Champions-in. Asnjë çështje me Leaon, janë gjëra që ndodhin appeared first on Telesport.










