Kurti për Habermasin: Filozofi që mbrojti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas lajmit për vdekjen e filozofit gjerman Jürgen Habermas, duke e cilësuar atë si një nga mendimtarët më të shquar bashkëkohorë dhe një zë të rëndësishëm të debatit publik në Evropë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Habermasi do të kujtohet si intelektual që kontribuoi në fusha të ndryshme të mendimit, ndërsa për publikun shqiptar, ai u bë i njohur sidomos për qëndrimet e tij gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Kurtit, filozofi gjerman kishte argumentuar se ndërhyrja e NATO në Kosovë kishte legjitimitet moral, edhe pse nuk ishte e autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Në fund të shekullit të kaluar, kur ne po kalonim ditët më kritike si popull i kërcënuar ekzistencialisht nga Jugosllavia e Tretë, përkatësisht Serbia e Millosheviqit, dhe kur opinioni botëror ishte i ndarë më dysh në lidhje me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, Habermasi arriti ta shquante dallimin thelbësor të kësaj ndërhyrjeje. Ndonëse e paautorizuar nga Këshilli i Sigurimit, sipas Habermasit, ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës kishte gjithë legjitimitetin e nevojshëm moral”, ka shkruar ai.

Kurti tutje theksoi se në atë kohë Habermasi kishte argumentuar se ndërhyrja duhej të shërbente si shtysë për reformimin e OKB-së dhe të sistemit ndërkombëtar, në mënyrë që parandalimi dhe ndëshkimi i gjenocidit të bëhej detyrim i qartë ligjor për bashkësinë ndërkombëtare.

“Andaj, sipas tij, ajo do duhej të shërbente si nxitës për një reformë të mirëfilltë të OKB-së dhe të mbarë sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare në drejtim të krijimit të një rendi botëror ku zbatimi i Konventës së Gjenevës për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit do të shndërrohej në një obligim të mirëfilltë ligjor të bashkësisë ndërkombëtare. Që tragjedia e kosovarëve të mos përsëritej, argumentonte ai, do duhej të ecnim në drejtim të asaj që ai e quante ‘kushtetutëzim’ të ligjit ndërkombëtar”, ka shkruar më tej ai.

Kurti e përshkroi gjithashtu Habermasin si një social-demokrat të përkushtuar, i cili mbrojti idenë e një Evrope të bashkuar dhe demokratike, të ndërtuar mbi vlerat e të drejtave të njeriut, lirisë, barazisë dhe solidaritetit.