Hoti akuzon Kurtin: Braktisi dialogun për njohje reciproke, tani po merret me normalizimin e strukturave paralele

Deputeti i Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për qasjen ndaj dialogut me Serbinë, duke thënë se në fillim të mandatit në vitin 2021 ishte braktisur synimi për një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

Sipas Hotit, në atë periudhë kishte një dakordim të gjerë me aleatët ndërkombëtarë që dialogu të zhvillohej vetëm për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, e cila do të adresonte të gjitha çështjet e mbetura nga dialogu teknik në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Ai theksoi se në vazhdimësi liderët evropianë dhe amerikanë kishin shprehur mbështetje për një marrëveshje të tillë përfundimtare.

“Tash, pas disa vitesh sanksionesh nga BE-ja dhe kritikash nga aleatët e tjerë, Kurti detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i LDK-së theksoi se Kosova duhet të jetë gjithmonë e gatshme për dialog me Serbinë, me ndërmjetësimin e aleatëve ndërkombëtarë, por paralajmëroi se nuk duhet të pranohen zgjidhje që, sipas tij, normalizojnë funksionimin e strukturave paralele.

“Askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je”, ka theksuar Hoti.