Deklarata e Osmanit për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti i kundërpërgjigjet presidentes

Kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur presidentes Osmani, e cila nënvetëdije kishte pranuar se në favor të Kurtit kishte caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Në përurimin e hapësirave të reja në QKUK, Kurti ka dhënë vështrimet e tij për deklaratat e presidentes Osmani si dhe çështjeve që pritet të vendosen nga Gjykata Kushtetuese.

Lidhur me deklaratën e Osmanit për caktimin e 28 dhjetorit, Kurti tha se ka qenë e pamundur që zgjedhjet të mbahen në një datë tjetër.

“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor”, ka thënë fillimisht Kurti.

Lidhur me caktimin e 28 dhjetorit, Kurti tha se ekziston edhe një shkresë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në të cilën thuhet se është e pamundur mbajtja e zgjedhjeve në një tjetër datë.

“Ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Mos harroni që ne kishim në tetor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hynë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor. Nëse ndokush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha ai.

Në një intervistë me gazetarin Çim Peka, presidentja Osmani nën vetëdije pranoi se kishte kryer favore në të mirë të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Si shkak për të spjeguar veprimet e saj në të mirë të Vetëvendosjes, Osmani mori caktimin e zgjedhjeve.

“A ja paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zorit Kurtit duke ja dhënë datën 28 dhjetor a??, Duke ja hequr masat Kosovës? Duke i sjell Kosovës njohje? Duke i vizituar komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosje? Duke pritu diasporën e Kosovës ja pasna organizuar puqin a?”, kishte thënë Osmani.