Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën pritet që të zgjidhet kryesuesi i ri i tij.
Kandidaturat për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial i kanë paraqitur prokurori i Prokurorisë së Apelit, Arian Gashi dhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi.
Zgjedhja e tyre pritet që të bëhet nëpërmjet votimit të fshehtë.
Të dy anëtarët e kanë marrë mandatin para se të hynin në fuqi ndryshimet në Ligjin për KPK-në.
Prokurori Krasniqi është doktor i shkencave juridike në fushën e ndërmjetësimit në çështje penale dhe ka qenë student i dalluar gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës (UP). Ai ka qenë zyrtar në Ministrinë e Kulturës, në Anti-Korrupsion, e ka ushtruar pozitën e prokurorit në Prokurorinë e Prizrenit, ndërsa si prokuror special ka marrë pjesë në ekipe të përbashkëta hetimore me Shtetet e Bashkuara (SHBA), përderisa vazhdon që ta përfaqësojë Prokurorinë e Shtetit ndërkombëtarisht, në organizime si programet e “EuroJustit”.
Krasniqi, bashkë me zëvendëskryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, janë autorë të aktakuzës në rastin për rezervat shtetërore.
Për nga rreshtimi në konfliktet e fundit përbrenda KPK-së, të cilat janë shpërfaqur gjatë vitit të shkuar si dhe në fillim të këtij viti, Milot Krasniqi ka qenë pro shkarkimit të Besim Kelmendit nga detyra e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe kundër certifikimit të Elza Bajrami-Kastratit si anëtare në KPK, deri kur Gjykata Supreme vendosi ta certifikonte atë.










