6 skuadra, 0 fitore. Champions për t’u harruar për Premier League. Mediat angleze: Dizastër totale

24 orët e fundit të Champions League i kanë dhënë një goditje të fortë reputacionit të Premier League, shpesh i quajtur kampionati më i fortë në botë. Mediat angleze kanë reaguar menjëherë me kritika. Sipas BBC, një seri rezultatesh negative ka vënë në diskutim epërsinë e skuadrave angleze në garat europiane.

Goditja më e rëndë erdhi nga Real Madridi, që mposhti Manchester City 3-0 në “Santiago Bernabéu”. Vetëm 24 orë më parë edhe Tottenham kishte pësuar humbje të rëndë 5-2 ndaj Atlético Madridit, në Madrid. Dy rezultate që kanë ndezur debatin për vlerën reale të skuadrave angleze në fazën vendimtare të Champions League.

Bilanci i përgjithshëm në ndeshjet e para të 1/8-ave është negativ: Chelsea u mund 5-2 nga kampionët në fuqi të PSG, ndërsa Liverpool humbi 1-0 ndaj Galatasaray. Barazuan Arsenali kundër Bayer Leverkusen dhe Newcastle United ndaj Barcelona.

Sipas analistit të “Match of the Day”, Nedum Onuoha, situata është shumë e ndërlikuar: “Duke parë disavantazhet që City dhe Chelsea duhet të përmbysin në shtëpi, edhe pse besojnë se mund t’ia dalin, diferencat duken shumë të mëdha”. Rezultatet janë të papritura; asnjë skuadër angleze nuk e ka fituar ndeshjen e parë të 1/8-ave, gjë që nuk ndodhte që nga sezoni 2022-23.

Ish-portieri i Anglisë, Paul Robinson, theksoi: “Kemi folur shumë për dominimin e skuadrave angleze në Europë, por në Champions asnjë nuk ka fituar këtë javë. Real Madridi, pavarësisht dëmtimeve, ishte cinik dhe e goditi City me kundërsulm”.

The post 6 skuadra, 0 fitore. Champions për t’u harruar për Premier League. Mediat angleze: Dizastër totale appeared first on Telesport.