Rinia Demokratike e Kosovës ka realizuar të enjten një aksion simbolik në reagim ndaj publikimit të një fotografie nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku një fotografi e ish-presidentit Hashim Thaçi ishte hedhur në tokë në një dhomë të mbushur me gjësende.
Përmes një komunikate, kjo organizatë e cilësoi pamjen si të papranueshme, duke thënë se një veprim i tillë përbën mungesë respekti ndaj një ish-presidenti të vendit dhe një përpjekje për të relativizuar historinë shtetformuese të Kosovës.
“Ky veprim nuk është vetëm mungesë respekti ndaj një ish-Presidenti të Republikës së Kosovës, por edhe një përpjekje e ulët për të relativizuar dhe fshirë një pjesë të rëndësishme të historisë sonë shtetformuese”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, gjatë aksionit të sotëm, Rinia Demokratike e Kosovës vendosi një fotografi të Thaçit të shoqëruar me disa nga momentet kyçe të rrugëtimit të tij politik dhe shtetëror – nga lider i studentëve dhe bashkëthemelues i UÇK-së, te kryesues i delegacionit shqiptar në Rambouillet Conference, si dhe më pas kryeministër dhe president i Republikës së Kosovës.
“Mesazhi ishte i qartë: Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini”, theksohet në komunikatë.
Rinia Demokratike e Kosovës vlerëson se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet sipas preferencave politike dhe se kontributi për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit është i dokumentuar në sakrifica dhe vendime historike.
“Institucionet e Republikës duhet të jenë hapësira që nderojnë historinë dhe kontributin e atyre që kanë shërbyer për vendin, pavarësisht bindjeve politike”, thuhet më tej në njoftim.










