“Finalissima” duket se po rend drejt “Santiago Bernabéu”, por Federata Argjentinase e Futbollit nuk e mbështet këtë opsion. Ndeshja mes Spanjës, kampione e Europës, dhe Argjentinës, fituese e “Copa América” 2024, është planifikuar të luhet më 27 mars, nëse nuk ka ndryshime të minutës së fundit. Fillimisht UEFA dhe CONMEBOL planifikonin ta zhvillonin ndeshjen në “Lusail Stadium” të Katarit, stadiumi i finales së Botërorit 2022, por ky vend i pezulloi të gjitha aktivitetet sportive për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Kjo situatë hapi diskutime për një vend të ri organizimi. Në fillim u përmendën Miami dhe Londra si opsionet më të forta, pasi ofrojnë infrastrukturë dhe akses të lehtë për lojtarët që luajnë në Europë. Megjithatë, Miami u hoq shpejt nga lista, edhe kryeqyteti anglez humbi terren. U shqyrtuan gjithashtu alternativa si Lisbona, Parisi dhe Roma, ndërsa pas negociatave të shumta, Madridi nisi të fitonte avantazh, diçka që Argjentina dhe rrjedhimisht edhe CONMEBOL nuk e shohin me sy të mirë.
Për më tepër, më 27 mars në “Riyadh Air Metropolitano” është planifikuar një tjetër miqësore ndërkombëtare mes Marokut dhe Ekuadorit. “Finalissima”, pasardhëse e “Copa Artemio Franchi”, përball kampionët e Europës dhe Amerikës së Jugut në një ndeshje të vetme. Edicioni i fundit u luajt në “Wembley” në vitin 2022 dhe përfundoi me fitoren e Argjentinës ndaj Italisë.
The post “Finalissima” drejt “Bernabéut”, por Argjentina bën presion që të mos luhet aty appeared first on Telesport.










