Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981 ka vizituar veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi.
Përmes një postimi, Kurti ka kujtuar historinë dhe kontributin e Hajrizit në lëvizjen kombëtare, duke theksuar se ai vjen nga një familje me traditë të gjatë të aktivizmit politik dhe përndjekjeve nga regjimi serb.
“Dje, në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981, e të cilat atëbotë shpejt u shndërruan në demonstrata gjithëpopullore, ishim për vizitë te veprimtari i çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Hajrizi për shumë vite ka punuar në arsim, duke edukuar gjenerata të tëra nxënësish, ndërsa për shkak të aktivitetit të tij politik është përballur edhe me arrestime.
“Baca Mehmet nuk është thjesht një veprimtar që e përkufizon aktiviteti i tij politik. Ai vjen edhe nga një familje e përfshirë në aktivizëm politik dhe përndjekje nga regjimi serb që nga vitet e ’20-ta të shekullit të kaluar”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, një nga momentet më të rënda për Hajrizin ishte arrestimi i tij në sallën e mësimit, para nxënësve, ndërsa ai ishte arrestuar për herë të parë në vitin 1979.
Kurti ka rikujtuar edhe organizimin ilegal të viteve ’70, duke përmendur “Grupin Revolucionar të Kosovës”, i cili për një periudhë u udhëhoq nga Hajrizi.
“Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale ‘Grupi Revolucionar i Kosovës’, një ndër organizatat më serioze dhe më jetëgjata të lëvizjes së asaj kohe. Fillimisht ajo u udhëhoq për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa për tetë vjet të tjerë nga Mehmet Hajrizi”, ka theksuar ai.
Në postim përmendet edhe themelimi i shtypit klandestin, ku Hajrizi ka shërbyer si kryeredaktor, duke kontribuar në botimin e gazetave dhe materialeve politike që promovonin rezistencën dhe kërkesat për liri e Republikë.
Kurti rikujtoi se Hajrizi u arrestua më 18 dhjetor 1981 dhe më 10 korrik 1982 u dënua me 12 vjet burg të rëndë, ndërsa më pas udhëheqjen e organizatës e mori Kadri Zeka, i cili u vra një vit më vonë bashkë me Jusuf Gërvallën dhe Bardhosh Gërvallën.
Në fund të reagimit të tij, Kurti theksoi se lufta e fundit çlirimtare në Kosovë ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave.
“Lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte pa dyshim produkt i shumë brezave që ndër vite u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare. Ndërkaq, ngjarjet e mëdha janë rezultat i një pune të përditshme paraprake që këto organizime kanë bërë së bashku me popullin e Kosovës”, ka shkruar Kurti.










