Arbeloa “rrëzoi” Guardiolën, kurrë s’është përmbysur avantazhi 3-0 i Real Madridit në Europë

Ishte përballja e parë mes Álvaro Arbeloa dhe Pep Guardiola. Një trajner i ri në nivelet më të larta, që për herë të parë arrinte në 1/8 finale të Champions League, kundër një strategu që ka ndryshuar historinë e futbollit dhe ka fituar tre Champions.

Nga kjo përballje e pabarabartë në letër doli fitues absolut Arbeloa. Real Madridi, pavarësisht mungesave të shumta, e dominoi kundërshtarin dhe udhëton drejt Manchesterit me avantazhin e fuqishëm 3-0 për kthimin. Një rezultat që askush nuk ka mundur t’ia përmbysë madrilenëve në Europë.

Nata që dukej e vështirë për madrilenët, sidomos pas shpërthimeve të Jérémy Doku, ndryshoi krejtësisht pas golit të parë të Federico Valverde. Që nga ai moment, Real Madridi dominoi çdo centimetër të fushës: portieri më i sigurt, mbrojtja më e fortë, mesfusha më e qëndrueshme dhe sulmi më i kthjellët.

Dueli Arbeloa-Guardiola përfundoi me epërsi të qartë për trajnerin madrilen. Ndërkohë, gjithçka që provoi Guardiola për të ndryshuar mbrëmjen e errët të skuadrës së tij nuk dha rezultat. Humbja në “Santiago Bernabéu” zgjat serinë negative të Guardiolës në Spanjë: vetëm 4 fitore në 14 ndeshje kundër skuadrave të La Liga-s që nga largimi prej Barcelonës.

Tani beteja zhvendoset në “Etihad Stadium”, ku Guardiola përballet me një mision që askush nuk e ka arritur: të përmbysë një disavantazh 3-0 ndaj Real Madridit në Europë. Më afër kësaj ishte Borussia Dortmundi i Jürgen Klopp në sezonin 2013-14, por madridasit i shpëtuan tronditjes dhe më pas u shpallën kampionë europe.

The post Arbeloa “rrëzoi” Guardiolën, kurrë s’është përmbysur avantazhi 3-0 i Real Madridit në Europë appeared first on Telesport.