Dëshmitari Emin Tmava ka deklaruar se mospërputhja në nënshkrime të operatorit Litwin bëri që të anulohej procedura e parë e prokurimit për riparime në Bllokun A5.
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në rastin ku për korrupsion akuzohen ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-shefi i zyrës së prokurimit Ymer Dragusha dhe avokati Isuf Zejna, Tmava që ishte zyrtari i prokurimit në KEK në kohën e aktakuzës foli për arsyet e anulimit të tenderit të hapur.
“Nënshkrimet në deklaratën nën betim nuk kanë qenë autentike dhe të njëjta me dokumentet e tjera”, tha Tmava.
Tek iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Nagip Krasniqi dëshmitari Tmava tha se nuk kishin zgjidhje tjetër përveç të mos nënshkruanin kontratë me kompaninë Litwin.
“Ndoshta e ka vu në siklet por nuk mund ta rekomandojë kur një operator ekonomik nuk është i përgjegjshëm”, u shpreh ai.
Tmava tha se nuk ka parë presion, mirëpo ishte i pranishëm kur Dragusha i ka thënë Krasniqit se nuk mund ta nënshkruajë kontratën me Litwin pa i dhënë urdhër për këtë me shkrim.
“Kryeshefi ka kërkuar që të vazhdohet me procedura për procedim të kontratës për shkak të afateve. Z. Dragusha i ka thënë që kam kërkesë ose urdhër nga ana juaj… I ka thënë se do të ndihmoj ta përpilosh tekstin”, tha dëshmitari Tmava.
Ai tha se nuk ka pasur dëme në kuptimin e prokurimit publik meqë asnjë pagesë nuk i është bërë kompanisë.
Dëshmitari tha po ashtu se beson që menaxhmenti dhe Ymer Dragusha kanë bërë negocim edhe në periudhën pas anulimit të tenderit.










