Analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni e ka quajtur “shtojcë të Kurtit” zëvendëskryeministrin Glauk Konjufca, për të cilin ka thënë se ka respekt personalisht.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit në Kosovë, ai tha se kandidaturat janë shumë afër partive, e jo figura koncensuale.
“Vetëvendosja është shembulli i parë që propozojë z. Glauk Konjufca, të cilin personalisht e respektoj, por me sa kam parë këto vitet e fundit, duket sikur është një shtojcë i z. Kurti dhe kandidatura tjetër që Vetëvendosja e nxori si patericë që kandidatura e z. Konjufca të ecte përpara”, tha Andoni në një intervistë me Interaktiv në KTV.
Sipas Andonit, Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që e ka humbur sensin e një force mirëfilli demokratike.
“Po ta shikoni me kujdes, nga çarjet që janë bërë me vite te Vetëvendosje, ti arrin të kuptosh se kjo lëvizje ka kohë që ka humbur sensin e një force mirëfilli demokratike që respekton demokracinë e brendshme. Rastet e Shqipërisë janë raste që i japin ushqim këtij argumenti; p.sh. në Partinë Socialiste ka vite që nuk mbahen zgjedhjet”, u shpreh ai.
Analisti tha se e njëjta gjë ndodhë edhe me partitë e tjera në Shqipëri dhe në Kosovë.










