Një nga sfidat më interesante sot në Champions League është ajo mes PSG dhe Chelsea, që luhet në Paris. Sulmuesi Bradley Barcola foli në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së kundër londinezëve, duke demonstruar vendosmëri dhe besim te skuadra e tij e PSG.
Sulmuesi i ri francez siguroi se skuadra po shkon në këtë ndeshje me motivim të madh: “Ne jemi gjithmonë të uritur për të fituar. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por na pëlqejnë këto lloj sfidash”.
Barcola përjashtoi çdo dëshirë për hakmarrje ndaj skuadrës angleze pas humbjes së tyre në finalen e Kupës së Botës për Klube. “Nuk kemi ndjenjë hakmarrjeje. Nuk është e njëjta garë apo i njëjti moment. E dimë që Chelsea është një skuadër e shkëlqyer dhe se do të jetë e vështirë, por jemi përgatitur mirë“, tha Barcola.
“Unë krijoj raste dhe thjesht duhet të jem në gjendje t’i shndërroj ato më mirë. Në fillim, mendova se ishte një problem besimi, por nuk mendoj kështu. Nëse do të kisha pasur më shumë fat, do të kisha shënuar më shumë. Po punoj shumë për këtë në stërvitje dhe nuk dekurajohem“, shtoi francezi.
Së fundmi, Barcola diskutoi të ardhmen e tij, por pa zbuluar shumë: “Nuk jam unë që kujdesem për këto gjëra, por agjenti im. Për momentin, jam i lumtur te PSG. Është shumë e rëndësishme të rifitojmë besimin, veçanërisht pas ndeshjeve të fundit evropiane. Por ne jemi gati dhe ende kemi një dëshirë të madhe për të fituar.”
The post “Na pëlqejnë sfidat e vështira dhe luajmë për fitore, ndaj Chelsea jo për hakmarrje” appeared first on Telesport.









