Vuçiq: Vjosa Osmani në Bordin e Paqes, këtë nuk e kemi pritur prej Trumpit

Presidenti i Serbisë, në një intervistë të gjatë, foli për furnizimin me energji, tensionet mes Beogradit dhe Moskës, si dhe për marrëdhëniet me Evropën dhe SHBA.

“Gjithçka është gjithnjë e më e vështirë për ne”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke përshkruar kështu situatën me furnizimin me energji. “Çmimet e naftës në tregjet mesdhetare janë rritur me 15 për qind vetëm në dy ditët e fundit, kjo është çmenduri. Situatë e ngjashme është edhe me gazin”, transmeton Paparaci.

Por kriza për Serbinë, ia kujton gazetari i gazetës Süddeutsche Zeitung që zhvilloi intervistën, kishte filluar shumë më herët se lufta në Iran, me sanksionet amerikane ndaj Industrisë Serbe të Naftës, e cila është kryesisht në pronësi të Gazprom

Vuçiqi pranon se kjo ka ngadalësuar rritjen ekonomike të Serbisë, por shpreh mirënjohje ndaj BE-së dhe Ursula von der Leyen për mbështetjen në ndërtimin e tubacioneve dhe investimet në infrastrukturën energjetike deri në 2035.

Në këtë kontekst, ai pranon gjithashtu se marrëdhëniet me Moskën janë ftohur. Gjatë negociatave për strukturën e pronësisë në NIS, siç thotë ai, nga Rusia kanë ardhur kërcënime për ndërprerjen e furnizimit me gaz, ndërsa mediat ruse “e kanë sulmuar më ashpër se shumë liderë perëndimorë”.

“Tradicionalisht kemi pasur marrëdhënie të mira dhe miqësore, por tani thjesht më është dashur të mbroj interesat kombëtare të Serbisë. Ne nuk jemi marioneta të askujt”, ka thënë Vuçiqi.

Beogradi, shpjegon ai, në fund pranoi një model sipas të cilit një pjesë e kompanisë do të merrej nga MOL Group nga Hungaria dhe kompania ADNOC nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Serbia do ta rrisë pjesën e saj në pronësi nga 29,87 në 34,87 për qind. “Kjo na jep mekanizma më të mirë kontrolli dhe mbikëqyrje më të madhe mbi vendimet financiare”, ka pretenduar ai.

Presidenti i Serbisë në këtë bisedë konfirmon se një pjesë e municionit të prodhuar në vendin e tij ka përfunduar në Ukrainë përmes ndërmjetësve, por shton se këtë gjë ia ka thënë hapur Rusisë.

“Kam biseduar me Putinin në një takim në Pekin dhe i tregova listën e vendeve të eksportit duke i thënë: “Ja lista, ku është problemi?” Ai pastaj tregoi për Poloninë, por atje kishte shkuar vetëm municion për pushkë gjuetie. Por po, ka pasur eksport në Republikën Çeke dhe në Britani të Madhe dhe në disa vende të tjera. Dhe në fund ka përfunduar në Ukraine”, pranon Vuçiqi, përcjell Paparaci.

Ai thotë gjithashtu se e ka kujtuar Vladimir Putin se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë dhe se për këtë arsye “ka vuajtur shumë”.

Në pyetjen nëse tani është koha që Serbia t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, Vuçiqi përgjigjet: “Nëse më pyesni mua, kjo është çështje e së kaluarës. Ne, si evropianë, po përballemi me probleme shumë më të mëdha në të ardhmen. Mendoj se kriza në Iran do të ketë pasoja të mëdha politike dhe do të sjellë ndryshime të rëndësishme brenda shoqërive evropiane… Dhe presim gjithashtu ndryshime të mëdha politike në Shtete e Bashkuara”.

Vuçiqi shpreh gjithashtu kritika ndaj administratës aktuale amerikane, e cila, siç thotë ai, nuk ka reaguar më vendosmërisht ndaj politikës së Qeverisë së Kosovës.

“Amerikanët na kanë ndihmuar shumë të gjithëve këtu në rajon duke siguruar paqe dhe stabilitet në Bosnje. Shpresoja që ata do të merrnin një qëndrim më të ashpër ndaj regjimit të Albin Kurti në Kosovë”, thotë presidenti i Serbisë.

“Ata provokojnë të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë. Dhe pastaj është edhe ai “i ashtuquajturi” Bordi i Paqes, ku presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shfaqet si yll. Kjo nuk ishte ajo që prisnim nga administrata e Donald Trumpit”, përfundon Vuçiqi./Paparaci.com