Prishtinë: Aktakuzë ndaj hetueses policore, keqpërdori informatat zyrtare

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të hetueses policore F.B., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se e pandehura në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur ka keqpërdorur informatën zyrtare dhe ia ka dërguar mikut të saj.

“Pas zhvillimit të hetimeve dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura F.B. në cilësinë e personit zyrtar – Hetuese Policore në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur, duke keqpërdorur informatën zyrtarë, në të cilën ka pasur qasje si rezultat i detyrës zyrtare, ashtu që me kërkesën privatë të mikut të saj A.P., e me qëllim që ky i fundit të përfitoj përparësi që nuk i takojnë, e pandehura përmes llogarisë zyrtare është kyçur në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) ku ka siguruar të dhënat personale dhe të kaluarën kriminale të dëmtuarit F.M., të cilat të dhëna përmes rrjetit social “WhattsApp” ia ka dërguar personit A.P., i cili me qëllim të diskreditimit të dëmtuarit i ka publikuar në emisionin televiziv të datës 20.12.2025”, thuhet në njoftim.

“Prokurori i shtetit do të vazhdoj punën në ruajtjen e sigurisë dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës, duke luftuar dukuritë negative, me theks të veçantë në mbrojtjen e informacioneve konfidenciale që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”.