Fuqizimi i të rinjve përmes lidershipit, pjesëmarrjes dhe veprimit komunitar në kuadër të projektit ndërkombëtar ”Planet SOEN 4”

Nga shtatori 2025 deri në mars 2026, organizata ACCESS në bashkëpunim me Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në kuadër të projektit ndërkombëtar “Planet SOEN 4”, një iniciativë edukative që synon të fuqizojë të rinjtë përmes buxhetimit me pjesëmarrje dhe angazhimit aktiv në komunitet.

Projekti ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të shkollave dhe zhvillimin e aftësive të nxënësve në lidership, zgjidhjen kreative të problemeve dhe menaxhimin e projekteve. Përmes metodave praktike dhe kreative, nxënësit janë inkurajuar të hartojnë dhe zbatojnë iniciativa komunitare në shkollat dhe komunitetet e tyre, duke kontribuar në përmirësimin e ambientit shkollor dhe në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar.

“Planet SOEN 4” përfshin bashkëpunimin e 5 shkollave të mesme dhe 5 organizatave nga pesë shtete të ndryshme, duke krijuar një platformë ndërkombëtare për shkëmbim përvojash, ngritje kapacitetesh dhe rrjetëzim ndërmjet të rinjve dhe edukatorëve.

Akademia Rinore dhe trajnimet ndërkombëtare

Një nga aktivitetet kryesore të projektit ishte organizimi i Akademisë Rinore, një trajnim online që mblodhi rreth 150 nxënës nga vende të ndryshme, me fokus në zhvillimin e aftësive udhëheqëse, kompetencave digjitale, sipërmarrjes dhe fuqizimit të të rinjve. Ky trajnim u organizua nga ACCESS në bashkëpunim me Gjimnazin “Eqrem Çabej”, duke ofruar mjete praktike dhe njohuri bashkëkohore për zhvillimin personal dhe profesional të pjesëmarrësve.

Gjithashtu, nxënësit morën pjesë edhe në “International Youth Academy Training Course”, një trajnim ndërkombëtar i bazuar në metodën “learning by doing”. Përmes lojërave edukative, simulimeve dhe aktiviteteve krijuese, të rinjtë zhvilluan aftësi në punë ekipore, komunikim dhe planifikim projektesh për komunitetin.

Aktivitetet e udhëhequra nga të rinjtë

Një komponent i rëndësishëm i projektit ishte organizimi i aktiviteteve të udhëhequra nga vetë nxënësit, duke u dhënë atyre mundësinë të zbatojnë në praktikë njohuritë e fituara gjatë trajnimeve.
Ndër këto aktivitete veçohen dy iniciativa të realizuara me zero buxhet, të cilat u mbështetën plotësisht në vullnetarizëm, kreativitet dhe bashkëpunim:

Fushata për mbledhjen e fondeve për fëmijët pa përkujdesje prindërore, e cila synonte rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë.

“Sip of Tea, Sip of Stories”, një aktivitet komunitar i organizuar në sheshin e qytetit të Vushtrrisë gjatë tregut të fundvitit, që krijoi një hapësirë bashkëbisedimi mes të rinjve dhe qytetarëve.

Po ashtu, më 12 dhjetor 2025 u organizua edhe eventi “Youth Catalyst Kosovo”, ku nxënësit ndanë përvojat dhe njohuritë e fituara gjatë trajnimeve ndërkombëtare përmes aktiviteteve interaktive dhe mësimit ndërmjet bashkëmoshatarëve.

Projekti “Planet SOEN 4” zhvillohet në bashkëpunim me organizata dhe shkolla të mesme të larta nga rajoni, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, praktikave të mira dhe zhvillimin e aftësive të të rinjve në nivel ndërkombëtar.

Ky projekt implementohet nga Agency for Development of Gemer Region (Slovaki), ACCESS (Kosovë), Association Education by the Internet (Poloni), Mladiinfo Montenegro (Mal i Zi) dhe Balkan Youth Activism (Shqipëri), dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian./Fokusi.info/