Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci thotë se kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
“Sapo kemi dorëzuar kërkesën e nënshkruar nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kemi kërkuar nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar”.
Sipas saj, “është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit”.
“Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Ajo tuje deklaroi se në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj.
“Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve. Presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë sa më shpejt një vendim, në mënyrë që të parandalohet çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve”.










